Rreth 40 mijë maturantë në të gjithë vendin kanë përfunduar në mesditë provimin e parë të detyrueshëm atë të Letërsisë. Provimi ka nisur në orën 10 dhe ka zgjatur për rreth 2 orë e gjysmë. Nxënësit kanë patur para tezat me 25 pyetje,13 prej të cilave me alternativë dhe 12 me zhvillim. Sipas vetë maturantëve testi ka qenë i thjeshtë dhe kanë arritur ti përfundojnë në kohë të gjitha pyetjet.
Maturanti 1: “I lehtë, koha ishte e mjaftueshme për të gjitha pyetjet. Profil shkencor, kishim “Kinemaja e vjetër” e Kadaresë dhe “I huaji” Albert Kamy.”
Maturantja 1: “Shumë i thjeshtë, shumë mirë. Më ra Albert Kamy “I huaj” edhe “Kinemaja e vjetër” e Ismail Kadaresë shumë të thjeshta.”
Maturantja 2: “Shumë i thjeshtë, kishim “Metamorfozën” e Kafkës edhe “Baladë qytetëse” Migjeni.”
Gjatë gjithë kohës së zhvillimit të provimit mësues të shkollave të tjera kanë qëndruar për të monitoruar nxënësit. Ashtu edhe si edhe vitet e kaluara nxënësve i është ndaluar të mbajnë celular me vete dhe të komunikojnë me njeri tjetrin. Testet pritet të korrigjohen brenda dhjetë ditësh në katër qendra Shkodër, Tiranë, Fier dhe Elbasan.
Halit Shamata: “Provimi ka filluar në të njëjtën orë në gjithë vendin dhe ka përfunduar gjithashtu në të njëjtën orë pas një kohë të përcaktuar 2 orë e gjysëm për të zhvilluar testin e provimit. Gjuha shqipe krahas Letërsisë ka zënë një vend më të rëndësishëm në testin e provimit të parë të detyruar. Gjithashtu për administrimin e provimit janë angazhuar 2500 administrator të cilët të përfshirë në proces bën mbikëqyrjen e tij në 282 mjedise shkollore të përzgjedhura më parë nga drejtoritë rajonale arsimore.”/tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi