Fjoralba Mishaxhi: “Përpara se të nisim zakonisht me të gjitha informacionet e tij ne do të ndalemi tek evenimenti artistik më i madh i ekraneve tonë, ndoshta më i madh i të gjitha ekraneve shqiptare, tek spektakli “E diela shqiptare” që siç e ndoqët edhe nga titujt kryesorë të edicionit do të nisë nesër në orën 13:30 me edicionin e dytë të tij. Stafi i këtij programi është në momentet e fundit të punës, megjithatë ne për pak minuta do t’i shkëpusim. Në krah të ekranit shoh Ardit Gjebrenë, që është edhe drejtuesi dhe prezantues i “Të dielës shqiptare”, jë program për të gjithë shqiptarët, apo jo Ardit?”

Ardit Gjebrea: “Dëgjova emrin”.

Fjoralba Mishaxhi: “Po, sigurisht. Ardit, mirëmbrëma!”

Ardit Gjebrea: “Mirëmbrëma!”

Fjoralba Mishaxhi: “Besoj se je lodhur gjatë kësaj kohe, por duhet të jesh edhe shumë i kënaqur që nesër ta rinisësh spektaklin tënd në një ambient modern, me një format krejtësisht të ri”.

Ardit Gjebrea: “Sigurisht, jemi të emocionuar sepse nuk po zbulojmë asgjë nga ato që do kishim dëshirë që të zbulonim menjëherë, por vijmë me një pretendim shumë të madh, vijmë me një përgatitje serioze, ndaj dhe kemi munguar këto dy javë, por jam i bindur që shumë shpejt “E diela shqiptare” do të kthehet në një simbol të profesionalizmit televiziv në Shqipëri. E them këtë gjë me bindje dhe jam krenar për punën që po përgatisim sepse më në fund mendoj që kam mbërritur të kem një staf të jashtëzakonshëm që më mbështet, që punojmë së bashku dhe një televizion, siç është TV Klan që më ka dhuruar disa momente, të cilat nuk kam për t’i harruar në jetë që do t’i përjetojmë së bashku nesër.”

Fjoralba Mishaxhi: “Padyshim”.

Ardit Gjebrea: “Jam i emocionuar sepse e di se çfarë do ndodhi nesër në ora 13:30 dhe që nga sekondi i parë dhe deri në sekondën e fundit gjithçka do të jetë spektakolare.”

Fjoralba Mishaxhi: “Dakord. Unë të falënderoj për këto minuta që na kushtove. Sigurisht uroj shumë suksese ditën e nesërme.”

Ardit Gjebrea: “Shumë faleminderit, Fjoralba. Mirupafshim!”/tvklan.al