Pas arrestimit të dy vëllezërve Klement dhe Eldi Çala reagoi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri thotë se kapja e dy vëllezërve të shpallur në kërkim për grabitjen e Rinasit shënon një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
“Laku ndaj bandës së rrezikshme të Rinasit është afruar sot drejt mbylljes së plotë. Kjo goditje është edhe një mesazh i rëndësishëm ndaj krimit: është vetëm çështje kohe! Përballja me ligjin dhe drejtësinë është e pashmangshme”, thotë Lleshaj.
Ministri përgëzon ekipin e policisë që mundësoi aksionin në këto ditë të vështira dhe thotë që operacioni do të vazhdojë.
Dy vëllezërit Çala u vunë në pranga pas një operacioni ku morën pjesë 300 forca policie. Ata ishin shpallur në kërkim për grabitjen në aeroportin e Rinasit vitin e kaluar.
Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Admir Murataj, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë arratisjes së grabitësve. Klement Çala konsiderohet si truri i grabitjes së 6.5 milionë eurove në pistën e Rinasit./tvklan.al
Kjo goditje është dhe një mesazh i rëndësishëm ndaj krimit: është vetëm çështje kohe!Përballja me ligjin dhe drejtësinë është e pashmangshme. Përgëzime për gjithë ekipin e Policisë së Shtetit që mundësoi këtë sukses inkurajues në këto ditë të vështira.Operacioni vazhdon…🇦🇱👮👮♂️
— Sandër Lleshaj (@SanderLleshaj) March 19, 2020