Presidenti i Federatës Peruane të Futbollit Agustin Lozano, u arrestua nga policia, ndërsa po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndaj tij u aplikua masa arrest me burg dhe paraprakisht do të qëndrojë 15 ditë në qeli, ndërsa prokuroria peruane po e heton për përvetësim të fondeve të institucionit peruan të futbollit, favorizim ndaj disa klubeve dhe abuzime me shitjen e biletave, raportoi agjencia Reuters. Ndërsa po shoqërohej nga policia Lozano tha se ai shpreson që të bëhet drejtësi.

“Unë vetëm dua t’i kërkoj familjes sime të qëndrojnë të qetë, njerëzit që kanë besim tek unë të jenë të qetë dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Shpresoj që gjithçka të sqarohet dhe dua vetëm qetësi për familjen time dhe për njerëzit që besojnë në punën që unë kam bërë.”

Sipas dosjes hetimore, Lozano po hetohet edhe për mashtrim, duke përfshirë edhe abuzime në shitjen e biletave për sfidën kualifikuese të Kupës së Botës Katar 2022, ku kombëtarja peruane u eliminua.

Klan News