Lajme Arkiva 2003

Është arrestuar Ylli Kelmendi, shoku i ngushtë i Fatmir Ramës i njohur ndryshe si Miri i Xhikes. Arrestimi i Kelmendit është bërë nga forcat e policisë së Tiranës pas një ngjarje të ndodhur në orët e drekës në qendër të qytetit pranë xhamisë.

Kelmendi ishte personi që shpëtoi para dy muajsh prej breshërisë së plumbave të automatikut që qëlloi mbi Fatmir Ramën te kartodromi dhe ku mbetën pa jetë 3 persona që ndodheshin në të njëjtën tryezë. Ai ishte i vetmi dëshmitarë që mund të tregonte rrjedhën e ngjarjeve për atentatin te Kartodromi.

Gjatë orëve të drekës Ylli Kelmendi po lëvizte me makinë me zonjën Kelmendi dikur gruaja e Fatmir Ramës, e cila pasi mbeti vejushë me vdekjen e të shoqit kishte zyrtarizuar vetëm 10 ditë më pare martesën e dyte me Kelmendin, miku më i afërt i viktimës i cili morri përsipër dhe kujdesin për familjen e mbetur dhe kompletë aferat e Fatmir Ramës.

Sipas policisë të dhënat paraprake konfirmojnë se grindja ndërmjet Ylli Kelmendit dhe Nezir Hoxhës ka filluar për shkaqe banale. Në grindje e sipër Hoxha ka marrë një gur për të qëlluar mbi mjetin me të cilin po lëvizte çifti Kelmendi.

Në polici Ylli ka deklaruar se në këtë moment ka tentuar të qëllojë duke mbajtur grykën e pistoletës me drejtim nga toka pa dashur të plagosë viktimën, por thjesht ta trembë. Ky i fundit ka marrë një plagë në këmbë dhe është dërguar më pas në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kelmendi është larguar nga vendngjarja me shpejtësi, por është kapur në një kohë rekord nga forcat e policisë së Tiranës, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al