Ka kaluar thuajse 1 muaj dhe pavarësisht vendimit të qeverisë për shpronësimin e tokës për varrezat, situata ka mbetur aty ku ishte.
Shpronësimet nuk janë kryer nga Bashkia e Tiranës, për shkak se prefekti, përfaqësues i qeverisë, e ka bllokuar buxhetin, në të cilin ishte përcaktuar edhe fondi për blerjen e tokës për varreza. Bashkia e Tiranës njoftoi sot se nuk ka më vend për varrime në asnjërën prej varrezave publike, atë të Sharrës dhe Tufinës. Në njoftimin e Bashkisë thuhet se “Bllokimi i buxhetit e bën të pamundur kryerjen e shpronësimit të varrezave dhe realizimin e projekteve për krijimin e hapësirave të reja, varrezave murale dhe sistemimin e atyre ekzistuese.’
Në këto kushte, Bashkia i bën thirrje kryeministrit të reagojë dhe të zhbllokojë menjeherë buxhetin, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje kësaj situate dramatike.
Ky problem vijon prej fundit të vitit 2013. Për disa muaj, dosja e shpronësimeve mbeti në Ministrinë e Brendshme. Bashkia dhe Ministria akuzuan njëra-tjetrën për zvarritje. Ministri Tahiri e quajti problematikë të panevojshme. Por kjo problematika vijon ende dhe prej ditës së Mërkurë, në Sharrë e Tufinë nuk do të pranohet të kryhet asnjë varrim.