Hetuesit grekë kanë hapur dosjet e vjetra në përjekje për të zbardhur atentatin mafioz të së dielës në periferi të Athinës ku mbeti i vrarë shqiptari nga Finiqi Irakli Davella dhe u plagos rëndë miku i tij 46-vjeçar Edi Lulo, lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz.
Mediat greke, duke cituar burime policore, shkruajnë se objektiv i atentatit dyshohet të ketë qenë, 46-vjeçari Edi Lulo, i cili rezulton të ketë një identitet të ndërruar, pasi nga komunikimet me autoritetet shqiptare është zbuluar se emri i tij i vërtetë është Edmond Hysa.
Pasi ka siguruar identitetin e vërtetë të 46-vjeçarit, policia greke ka zbuluar se ai rezulton i dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011, ku u mbajtën peng disa avokatë në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe u grabitën 405.000 Euro.
Për këtë ngjarje, por edhe për disa grabitje të tjera ai u dënua dhe pasi kreu burgun u riatdhesua në Shqipëri.
Kohët e fundit jetonte në Dubai dhe në datën 9 Dhjetor ka ardhur në Greqi nga Gjermania me identitetin Edi Lulo.
Nga komunikimi me policinë shqiptare është mësuar se Edmond Hysa në Shqipëri konsiderohet një personazh i rëndësishëm i krimit, ndaj po mblidhen informacione për aktivitetin dhe për konfliktet e tij për të zbuluar motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
Edhe viktima thuhet se ka pasur disa herë probleme me drejtësinë në të shkuarën për pjesëmarrje në grup kriminal, zhvatje, etj.
Megjithatë që prej vitit 2011 ai dukej se ishte tërhequr duke u marrë me një lokal që kishte hapur në zonën e Peristerit.
Ata u qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje sapo dolën nga një kafene.
Tv Klan