Takime emocionuese në aeroport mes të afërmve, synohet ringritja turistika
Australia rihapet plotësisht për vizitorët pas dy vite mbyllje të kufijve për shkak të pandemisë. Në Sidney filluan fluturimet e para ndërsa skena emocionuese u panë mes familjarëve dhe të afërmve që nuk ishin takuar prej disa kohësh.
“Është një ditë shumë emocionuese, një ditë që e kam pritur me padurim për një kohë të gjatë, që nga dita që mbylla për herë të parë atë kufi në fillim të pandemisë,” u tha kryeministri Scott Morrison gazetarëve.
Turizmi është një nga industritë më të mëdha të Australisë, me vlerë më shumë se 43 miliardë Dollarë dhe që punëson rreth 5% të fuqisë punëtore të vendit. Por sektori u gjymtua pasi vendi mbylli kufijtë e tij në Mars 2020.
Pasagjerët që fluturonin për në Sidney u pritën nga ajri me thirrjen “Welcome Back World!” pikturuar në një tabelë pranë pistave, ndërsa njerëzit me kostume kanguri mirëprisnin udhëtarët dhe një DJ luante muzikë nga një furgon i zbukuruar me një pankartë që thoshte “Ia vlente pritja”.
Ministri i turizmit Tehan tha se shpresonte për një rikthim “shumë të fortë” në tregun e turizmit. Dikur kampione e strategjisë kundër COVID-it, Australia u largua nga kontrollet e rrepta dhe filloi të jetonte me virusin brenda vendit pasi arriti nivele më të larta vaksinimi.
Ndërsa kufijtë janë rihapur plotësisht, shpërthimi i variantit të koronavirusit Omicron në Australi duket se ka kaluar kulmin e tij me pranimet në spitale që kanë rënë vazhdimisht gjatë tre javëve të fundit.
Pjesa më e madhe e totalit të pandemisë së Australisë prej rreth 2.7 milionë rastesh të konfirmuara është zbuluar që nga shfaqja e Omicron në fund të Nëntorit.
Klan News