Prenotimet për të pushuar në bregdetin shqiptar tashmë kanë filluar. Agjencitë turistike kanë bërë gati paketat e tyre për kosovarët që kanë vendosur t’ia mësyjnë Shqipërisë. Këtë verë, sipas organizatorëve të pushimeve, pritet fluks më i madh i turistëve që do të pushojnë në bregdetin shqiptar.

Arzana Selimi: “Edhe këtë vit Eurokoha ka oferta mjaft të mira për Shqipëri, duke përfshirë hotele të cilat gjenden në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Dhërmi, pjesë të cilat vizitohen më shumë nga kosovarët. Po presim një fluks mjaft të madh të njerëzve të cilët duan ta vizitojnë Shqipërinë këtë vit për shkak të hapjes së rrugës së re.”

Autostrada Morinë-Durrës, të cilës i ka mbetur edhe shumë pak kohë për t’u funksionalizuar plotësisht, konsiderohet njëra ndër epërsitë e këtij sezoni, krahasuar me vitet e kaluara.

Për herë të parë shteti shqiptar ka filluar edhe transmetimin e spoteve në televizionet kosovare, për të promovuar bukuritë turistike të Shqipërisë. Njëri prej tyre transmetohet edhe në Klan Kosova.

Megjithëkëtë organizatorët e pushimeve kërkojnë edhe më shumë promovim të turizmit në Kosovë.

Ilaz Beqiri: “Sa i përket marketingut, reklamave nuk është bërë mjaft. Por unë mendoj që është edhe një gjë tjetër edhe më e rëndësishme që Shqipëria duhet të punojë jashtëzakonisht shumë.”

Çmimet për një natë qëndrimi në bregdetin shqiptar i përcakton niveli i ofrimit të shërbimeve. Ato fillojnë nga 20 e deri në 40 euro për natë. /tvklan.al

Gazetar: Avdyl Pajaziti