E ndjera kishte denoncuar në të kaluarën dhunën e ushtruar nga bashkëshorti shqiptar
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e rumunes Alexandra Elena Mocanu nga bashkëshorti i saj shqiptar Avni Meçja.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, vrasja ka ndodhur gjatë kulmit të një debati. Gjatë marrjes në pyetje prej më shumë se 5 orësh nga policia italiane, ai ka rrëfyer se e ka goditur me çekiç të paktën dy herë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dielën në mëngjes, pasi kishte mbështjellë trupin me një batanije, ai doli nga shtëpia me makinën e gruas së tij për të shkuar fillimisht në Verona ku ndodhen edhe disa të afërm të tij. Më pas u nis drejt aeroportit të Trevisos për të shkuar në Shqipëri.
Trupi i viktimës është zbuluar falë denoncimit të një nga të afërmit e burrit, pasi Meçja gjatë një lidhje telefonike kishte rrëfyer se ishte në arrati. Por ai nuk ka qëndruar gjatë në Shqipëri dhe është kthyer sërish në Itali ndoshta i bindur edhe nga të afërmit e tij për t’ju dorëzuar policisë italiane.
Dy vite më parë, viktima kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë. Aleksandra la pas një djalë, të lindur nga një lidhje tjetër, i cili jeton me gjyshen në Rumani.
Klan News