Zyrtarja e Federatës Shqiptare të Futbollit, Lenida Halilaj, zbuloi detaje nga ceremonia “Topi i Artë 2024”.

Ajo tha në Klan News, se një futbollist i njohur spanjoll, emrin e të cilit nuk e zbuloi, do të dorëzojë çmimin “Topi i Artë” për vajza.

Ndër të tjera, Halilaj tregoi edhe dy çmimet që do të jepen për futbollistët e Kombëtares.  

“Synimi është që të ngremë standardin e të bërit spektakël në dimensionin sportiv. Siç bëjmë me organizimin e ndeshjeve nga FSHF, niveli i të cilave është rritur. Kjo do të kthehet në traditë. Është një vit me shumë emocione për shqiptarët. Ndoshta është momenti që t’i evidentojmë sukseset që kemi pasur. Është momenti të japim edhe disa statistika.

Është ftuar një personazh futbolli, që do të dorëzojë “Topin e Artë” për vajza. Është futbollist i njohur spanjoll, emrin nuk po e zbuloj. Këngëtarja Ana Oxa do i sjellë një lloj grinte tjetër spektaklit.

Kemi edhe dy çmime të tjera, që i referohen Kombëtares shqiptarë të futbollit. Një çmim do të jetë për lojtarin shqiptar më të mirë që luan jashtë. Çmimi tjetër është simbolik, për një lojtar që ka dhënë zemrën për Kombëtaren”, u shpreh Halilaj.

Ceremonia “Topi i Artë 2024”, do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e TV Klan, duke nisur nga ora 20:00. /tvklan.al