Planit ende sekret të asgjësimit të 98 mijë ton municione luftarake që ka marrë përsipër të kryej shteti shqiptar i paraprin një lajmërim që Avokati i Popullit i bën ministrit të mbrojtjes Gamzend Oketa.
Artur Lazebehu: “Këtu kemi të bëjmë me një incident konkret, por le të themi alegoria e Gërdecit është një interpretim le të themi i politikave të gabuara ose jo, indiferente ose jo, por që solli një pasojë X në një moment të dhënë, qoftë dhe në mënyrë aksidentale.”
Një paralajmërim institucional në formën e rekomandimit ka në thelb mos përsëritjen e tragjedisë së 15 marsit.
Artur Lazebehu: “Gërdeci është një alegori le të themi e një indiference e një mos kujdesie që strukturat qoftë qendrore qoftë ato lokale kanë dëshmuar me veprimet apo mosveprimet e tyre.”
Për herë të parë pas ngjarjes më të rëndë që preku komunitetin e Vorës, publikohet fakti se komisionerëve të Avokatit të Popullit vetë banorët ua kanë mbajtur të fshehtë informacionin se gra dhe fëmijë ishin të punësuar në një fabrikë çmontimi municionesh.
Artur Lazebehu: “Unë me një grup prej 4 kolegësh në kuadrin e atyre ditëve të hapura që ne organizojmë kemi qenë vitin e kaluar dy herë në bashkinë e Vorës, për të pritur ankesa të popullit edhe kurrkush ne nuk na erdhi qoftë edhe për të na treguar, që shiko se filan vend punojnë disa punonjës, kanë apo nuk kanë siguracione.”
Post-Gërdeci nxori në pah se zona ku shpërtheu një sasi e madhe municioni mbetet ende nën rrethin e kuq. Lajmit të keq të pasigurisë të kësaj zone të mbjellë ende me predha, iu shtua një sinjal optimist nga ministri i mbrojtjes Oketa. Se plani për asgjësimin e të gjithë municioneve luftarake në Shqipëri do të kryhet në bazë të një strategjie të menduar mirë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani