“
Nuk ndihem mirë… duhet të jetonte. Tani po, e kuptoj çfarë kam bërë. Jam penduar. Të më varin në shesh. E kërkoj unë, të behem shembull. Për shpirtin e saj”.
Kështu mësohet të jetë shprehur Aleko Petro, 52-vjeçari shqiptar i cili vrau brutalisht vajzën e tij 29-vjeçare, Anxhelina Petro. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 2 Janarit, në Korfuz të Greqisë.
Në një intervistë për median greke Tv Star, 52-vjeçari ka treguar versionin e tij të ngjarjes.
“Erdhi papritur për festat e fundvitit. Kisha bërë bakllava, hëngrëm kurabie dhe bisedonim për gjëra familjare. Flisnim normalisht. Në një moment filloi t’i binte celulari. I tha “jam nga babai”. Zakonisht kur vinte, ulej dhe qëndronte me telefonin në duar dhe dërgonte mesazhe. Kur i ra telefoni sërish nuk e fsheha bezdisjen: Do e lesh tani? Pasi të mbarojmë bisedën mund të vazhdosh”,
tregon në dëshminë e tij 52-vjeçari, sipas të cilit, në këtë moment Anxhelina kishte nisur të bërtiste dhe të përplaste karriget.
“Do bëj ç’të dua, telefoni është i imi, nuk kam pse i marr leje askujt
“, iu ishte përgjigjur ajo. Sipas Alekos, fillimisht ai ishte përpjekur që ta qetësonte dhe i kishte kërkuar që të mos qante e të bërtiste.
Por, gjithnjë sipas dëshmisë së 52-vjeçarit, në debat e sipër e kishte humbur.
“M’u errën sytë. E godita me hekur dhe e hodha nga dritarja, e hodha. Isha tjetër njeri. Edhe tani që jam ulur rri mendoj për çfarë ndodhi”.
Ai e gjeti të bijën në pjesën e pasme të shtëpisë, përtokë. Sipas tij, kur Anxhelina e pa, iu drejtua me fjalët:
“Babi po largohem, të dua shumë. Dua që të më përqafosh”.
Ndërsa Aleko, gjithnjë sipas rrëfimit të tij, teksa e mbante në duar i tha:
“Do vij me ty. Jam një baba i çmendur”.
Më pas 52-vjeçari tregoi se kishte pastruar shtëpinë, kishte djegur rrobat e tij dhe sendet personale të vajzës 29-vjeçare, ndërsa kishte flakur edhe telefonin e saj. Kur e pyetën se përse e kishte varrosur të bijën në oborrin e shtëpisë, ai tha:
“Nuk doja që ta lija jashtë, për kafshët. Kështu që vendosa ta varros aty”.
Sa i përket lidhjes së Anxhelinës me një afgan, Aleko Petro mohon që ishte në dijeni të kësaj marrëdhënie.
“Nuk dija asgjë. E mësova këto ditë. Kisha dëgjuar zëra, por nuk e dija ku qëndronte apo me kë”
. Ai gjithashtu u ankua për faktin se vajza ishte pagëzuar dhe askush nuk e kishte njoftuar. Aleko mohoi se kishte qenë i dhunshëm ndaj të bijës. Në fund, 52-vjeçari tha se vajza e tij ishte një fëmijë i mirë dhe i zgjuar, që e ndihmonte me çdo gjë.
Ndërkohë mediat greke, duke cituar avokatin e nënës së 29-vjeçares, shkruajnë gjithashtu se trupi i saj pritet të kthehet në Berat për t’u përcjellë për në banesën e fundit. Në një intervistë për tvklan.al, pak ditë pas ngjarjes së rëndë, nëna e së ndjerës Xhezmije Stoçeni bëri apel që trupi i së bijës të kthehej në vendin tonë.
//tvklan.al