Lajme Arkiva – TV Klan 2003
8 mijë familje në Bathore kanë vendosur të zgjedhin rrugën e protestave, nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre. Me një peticion familjet i janë drejtuar instancave më të larta shtetërore, presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, për ujë, drita, shkollë rrugë dhe punë.
Sipas banorëve, kushtet e rënda ekonomike në këtë zonë, po çojnë në mjerim të plotë familjet e Bathores, të cilët jetojnë vetëm pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar.
Banori i Bathores 1:- “Jemi pa shkollë, jemi pa ujë, jemi pa drita, jemi pa rrugë. Në qoftë se kërkesat tona nuk ka për t’i marrë parasysh qeveria, do të ketë dhe përshkallëzim të situatave”.
Banori i Bathores 2:- Ne po kërkojmë të na ndihmojnë me ujin e pijshëm njëherë, të ketë kanalizime, se këtu po shpërthen një epidemi e sigurt, duhet të na ndihmojë shteti se kemi fëmijët pa shkollë dhe po dalin lypsa rrugëve, sepse nuk kanë shkollë”.
Banori i Bathores 3:- “Ne i kemi shtëpitë e pa legalizuara dhe i kërkojmë shtetit, që të legalizohen, sepse nuk kemi shkollë, nuk kemi ujë, nuk kemi rrugë, gjëra të cilat janë të domosdoshme për një komunitet”.
Në Bathore një hapësirë prej 450 hektarësh, jetojnë 40 mijë banorë të ardhur nga zonat verilindore të Shqipërisë, që nga viti 1992. Janë 8 lagje, 3 prej të cilave njihen nga plani urbanistik. Shumica e shtëpive janë pa leje ndërtimi të ngritura në tokë bujqësore. Për këtë arsye familjarët kërkojnë legalizimin e banesave, duke u njohur më parë kjo tokë si zonë urbane.
Këtu mungon jo vetëm infrastruktura rrugore, por dhe rrjeti i ujit të pijshëm. Rrjeti elektrik është në mëshirë të fatit, Rreth 10 mijë nxënës mësojnë në një shkollë të vetme, duke bërë mësim me tre turne, ndërkohë që një pjesë e fëmijëve nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë pasi nuk ka klasa. E po në këto kushte është edhe qendra shëndetësore, e cila nuk përballon dot sëmundjet në zonë.
Në Bathore 90% e banorëve janë në papunësi të plotë, arsye për të cilën ata kanë vendosur t’i kërkojnë shtetit të drejtat jetike, qoftë edhe duke protestuar në rrugë dhe sheshe./tvklan.al
Gazetare – Eva Paja