Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dikur fushë mbillej me fasule e bathë, prej nga gëzon edhe emrin Bathore, ndërsa sot banorët e rinj duan të mbjellin qytetërimin. 40 mijë familjet e ardhura nga zonat veriore, kanë 10 vite që njohin Bathoren si vendbanimin e tyre, megjithëse ende jo të ligjëruar.

Në këto vite arritën të ngrenë shtëpinë, ndërsa tani duan ndërhyrjen e shtetit. Bathorja vuan për ujë, drita, infrastrukturë, arsim dhe shërbim shëndetësor, 90% e banorëve janë të papunë.

Banori i Bathores:- “E keqa është se jam pa punë, nuk ka punë. Ne menduam se do të gjenim punë këtu, duke qenë edhe më afër Tiranës”.

Irritimi i kësaj popullsie ka arritur aty ku nuk mban më. Këtë herë kanë bërë peticion drejtuar gjithë institucioneve shtetërore. Të pushtetshmit i shohin vetëm për fushatë. Në dokumentet e gjendjes civile të bashkisë Kamëz prej nga varen, figurojnë si votues një herë në katër vjet. Familja prej 10 frymësh e Munekës nga Hasi, e sheh të vështirë transformimin. Jeta pa të ftohtin e atjeshëm shtyhet, por pa ushqim është e zorshme.

Në këtë zonë mungon shërbimi shëndetësor dhe shkollat. Ata e njohin shtetin, rregullat e tij, por presin më shumë, uji dhe dritat mbeten thelbësore. Matësat janë vënë e premtojnë se do të paguajnë energjinë, por s’dihet me se. Nga mos përfillja ata zgjedhin protestën./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti