Lajme Arkiva 2003
Prej vitesh mungesa e ujit të pijshëm në fshatin Tresh të rrethit të Lezhës mbetet problem. Mbi 2100 familje presin përfundimin e ujësjellësit i cili duket se nuk do të përfundojë asnjëherë.
Grave si në dimër ashtu edhe në verë u duhet të përshkojnë rreth 30 metra rrugë për të mbushur ujë në çezmën e vetme të fshatit ndërkohë që tubacionet e thata i kanë të instaluar në dyert e shtëpive.
Banor: 5-6 orë në ditë grave tona u shkon më shumë për punët e tjera për të marrë ujë, për të pirë, për të larë rroba, për të gjitha nevojat e familjes.
Banor: Ne që prej 12 vitesh jemi pa ujë. Kanë bërë 4 herë investime, fonde nga qeveria janë dhënë por populli ndodhet pa ujë.
Investimi i ujësjellësit i fshatit Tresh nisi dy vjet më parë nëpërmjet një fondi prej 34 milionë lekësh të dhëna nga qeveria. Sipas banorëve punimet nga firma ndërtuese janë ndërprerë pa shkak.
Ata i janë drejtuar disa herë përfaqësuesve më të lartë të qarkut dhe prefekturës së Lezhës për të ndërhyrë në investimin e lënë në mes, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kryeplaku i fshatit Lek Kovaçi, së bashku me banorët e tjerë nëpërmjet një letre i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të hetuar për këtë investim të lënë në mes, shkak për të cilin banorët vuajnë ende mungesën e uji të pijshëm.
Lek Kovaçi: Ne i jemi drejtuar prefekturës së qarkut disa herë. Kemi bërë kërkesë, ata kanë qendruar në heshtje. I jemi drejtuar Kontrollit të Shtetit dhe na kanë thënë kërkesat tuaja janë në shqyrtim.
Ujësjellësi i fshatit Tresh është ndërtuar në vitin 1965 gjatë ndërtimit të hekurudhës Vorë-Lezhë dhe deri në vitin’90 ai furnizonte normalisht jo vetëm banorët, por edh kompleksin elektoral.
Pas vitit ’90 si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet ai u shkatërrua plotësisht. Për ndërtimin e ujësjellësit të ri nga Ministria e Rregullim Territorit dhe Turizmit i janë dhënë dy herë fonde dhe deri më sot investimi nuk ka përfunduar./tvklan.al