Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion” ku foli në lidhje me aksionin opozitar.

Bardhi paralajmëroi se nëse nuk plotësohen kushtet e saj nuk do të ketë seanca plenare normale.


“Sa kohë opozitës do i mohohet çdo e drejtë kushtetuese në sallën e parlamentit nuk ka për të patur normalitet të funksionimit të parlamentit”, u shpreh ai.

Por çfarë kërkon PD?


Bardhi tha për gazetarin Blendi Fevziu se janë tre gjëra që mund të bëjnë funksionimin normal të parlamentit. Kërkesën e parë e kishte për kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

“Së pari duhet të ndërpresë provokimin e opozitës. Letrat që lexon, lexon ca paçavure. I thashë të kanë shndërruar në një specialiste arkivë kontrolli të një partie të caktuar politike. Nuk favorizon asgjë se nuk ka mundësi të favorizojë, nxit mbajtjen zvarrë të 50 deputetëve të opozitës duke lexuar letra që as ajo vetë nuk i njeh”, u shpreh ai.

Së dyti kërkoi që të pranohet propozimi i opozitës për caktuar përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore.  

“Së dyti të pranohet propozimi i opozitës, të caktojë ajo kush duhet të jetë në komisionin e reformës zgjedhore. Një kolegia juaj, ka qenë e imja deri dje, sot drejton një emision televiziv, është anëtare e komisionit të reformës zgjedhore”, u shpreh ai.

Së treti, ka të bëjë me ngritjen e disa komisioneve hetimore.  

“E treta janë tre komisionet hetimore që kanë të bëjnë me interesin publik. Ka një shqetësim të ambasadës së SHBA për çështjen e TIMS, kërkojmë të hetohet rrjedhja apo ndërhyrja në të dhënat personale të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me 4 kontratat koncesionare në shëndetësi. A ka problem me këto kontrata? A janë abuzuar paratë publike? E treta ka të bëjë me vendimmarrjet në kushtet e konfliktit të interesit. Sot qeveria është shndërruar në një organizatë që i jep favore njëri-tjetrit”, u shpreh Bardhi./tvklan.al