Lulzim Basha zgjodhi të mos i përgjigjet dy zërave kritikë në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët një ditë më parë i kërkuan të mos bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit.

Por mesazhin, edhe pse pa i përmendur me emër dy deputetët Bregu e Selami, ua dha teksa fliste me protestuesit në çadër, kur tha se opozita nuk do të bëhet pjesë e asnjë pazari

 “Kush më kërkon mua shqiptar apo i- huaj Pazar me Edi Ramën për hir të stabilitetit, por jo demokracisë duhet ta këtë të qartë se ajo që ka lindur në 18 shkurt është më e madhe se Partia demokratike dhe Lulzim Basha. Kanë bërë gjithçka për të na shkurajuar e përçarë e për të na blerë por kanë dështuar. Ne ose do kthejmë parlamentin e vërtetë ose do vazhdojmë betejën për votën e lirë deri në fitore.”

Lulzim Basha komentoi edhe zgjedhjen e Ilir Metës president. Dhe tha se karrigia e kreut të  Shtetit u këmbye me 35 milionë dollarë kredi që u miratua ne parlament pak javë më parë.

 

“35 milionë dollarë për rrëshqitjen e rrugës së Elbasanit është çmimi që pagoi Edi Rama për t’i mbyllur gojën Ilir Metës që të mos thoshte se s’do të kishte zgjedhje pa opozitën. 35 milionë dollarë për ta ulur në karrigen e presidentit dhe për ti mbyllur gojën. Ky është pazari. “

Por në ligjërimin e tij përpara protestuesve Basha propozoi rikthimin e sistemit mazhoritar, kur vendi ishte I ndarë në 100 zona elektorale, teksa pranoi gabimin sipas tij të Partisë Demokratike me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të bëra asaj kohe mes dy partive të mëdha, PD e PS.

Tv Klan