Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti ne takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel.

Zyrtari i  lartë evropian vlerësoi masat e mara nga qeveria shqiptare për të përmbushur detyrimet e udhërrëfyesit për vizat, duke konstatuar se në këtë proces Shqipëria është në rrugë të mbarë.

Mirel nënvizoi arritjet e qeverisë shqiptare edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Pas takimit me drejtorin për Ballkanin Perëndimor, ministri Basha tha për gazetarët se qeveria ka përmbushur të gjitha detyrimet e rëndësishme të udhërrëfyesit për vizat dhe pret konfirmimin e komisionit evropian mbi këto arritje.

Basha u ndan veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si prioritet kryesore te qeverise qe se fundmi kane shënuar rezultate domethënëse. 

Lulzim Basha: “Kriteret më të rëndësishme janë plotësisht të përfunduara. Dokumentet, ju thashë sot Shqipëria ka 280 mijë pasaporta deri në fund të vitit do të ketë afro 300 deri në 320 mijë, deri në mars të vitit që vjen do të ketë 600 apo më shuam pasaporta pra do të ketë më shumë pasaporta se çdo vend tjetër që pritet të përfitojë nga vendet e tjera. Sa i përket kufijve ka përfunduar çdo procedurë. Sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit mjafton t’ju përmend statistikat e dy javëve të fundit dhe ta shikoni se lufta kundër krimit dhe korrupsionit jo vetëm që vazhdon, por është futur në një fazë të re ekstradimi nga Shqipëria i krerëve të organizatave kriminale. Ju kujtoj që vetëm javën e fundit kemi pasur 2 goditje intensive të një rrjeti me 45 arrestime për kanabis sativa dhe të një rrjeti me 24 kg për heroinë. Në këtë muaj janë arrestuar dhe proceduar për korrupsion në sektor të ndryshëm nga vetë punonjësit e policisë së shtetit mbi 26 raste duke përfshirë një numër ët madh autorësh të cilët i janë dorëzuar drejtësisë, pra kemi të bëjmë me një vazhdim të qartë të përkushtimit të qeverisë Berisha për luftë me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit”

Si përgjigje ndaj interesit të gazetarëve ministri Basha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste për një fushatë disinformimi të ndërkombëtareve mbi arritjet e Shqipërisë në procesin për liberalizim të vizave.

Lulzim Basha: “Zoti Rama dhe disa prej ndihmësve të tij, janë angazhuar në një fushatë anti viza në Bruksel dhe në Tiranë  me përfaqësuesit diplomatikë, duke u munduar të krijojnë një tablo të nxirë të realitetit shqiptar, çka natyrisht kam qenë e paefektshme sepse komunikimi ynë me partnerët tanë është i vazhdueshëm dhe në këtë kuadër sa i përket liberalizmit të vizave, sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit ne do të vazhdojmë në këtë fazë të re të luftës kundër krimit dhe korrupsionit të godasim me forcën e ligjit çdo lidhje të vjetër apo tëre të krimit me politikën.”

Basha foli dhe për deklaratën e dy ministrave të jashtëm të Italisë dhe Sllovenisë të cilët një ditë më parë i kërkuan Komisionit Evropian të vendosë afat për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Lulzim Basha: “Unë e shoh këtë kërkesë të këtyre 2 vendeve anëtare  si një kërkesë për të përshpejtuar misionet po në të njëjtën kohë si një njohje të një realiteti tërësisht të ri sa i përket Shqipërisë, presim me 14 dhjetor ekspertët e parë të Komisionit Evropian, të cilët do të verifikojnë gjendjen sa i përket bllokut të parë, sigurisë së dokumenteve. Jam optimist, në fakt jam i bindur se ky verifikim do të përfundojë me sukses të plotë.”

Gjatë takimit me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe drejtorit për Ballkanin Perëndimor Pierre Mirel, u diskutua dhe mbi një nga sfidat afatmesme dhe afatgjata të qeverisë që ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve administrative./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi