Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës ka ardhur drejt përmirësimit. Shtabi i emergjencës ka vijuar me evakuimin e banorëve në zonat më problematike, si dhe po punohet me ngritjen e argjinaturave.

Në zonat e përmbytura ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili deklaroi se pavarësisht përmirësimit të situatës, autoritetet do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri.

Lulzim Basha: “Gjendja në tersi paraqet një përmirësim, megjithatë situata mbahet në një vëzhgim të hollësishëm, do të mbahet në një vëzhgim të hollësishëm për të paktën një periudhë 5 ditore. Prioritet më të veçantë ka pasur ndërtimi dhe riparimi i mbrojtjes kundër ujit, në pika të veçanta vulnerabël në zonën e përmbytjes. Pika që po i inspektojmë tani këtu në Asht. Siç e shikoni ka avancuar me afro 15 metra dhe do të avancojë dhe me 10 metra të tjerë linear në rrjedhën e Drinit. Paralelisht vazhdon puna në argjinaturën e Çasit. Puna ka vazhduar pa pushim për përmirësim e argjinaturës në Darragjat.”

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme, aktualisht përllogaritet 6750 ha tokë e përmbytur, rezultojnë të përmbytura 108 shtëpi, ndërsa 108 të tjera janë të rrethuara nga uji. Deri më tani janë evakuuar 375 persona./tvklan.al