Forcat e emergjencës dhe ato të ushtrisë janë në gatishmëri për një operacion të mundshëm humanitar në zonën e Nënshkodrës, ku disa komuna rrezikojnë sërish përmbytjen nga vërshimi i ujërave.

Komiteti Ndërministror i Emergjencës i mbledhur gjatë paradites në Shkodër e ka vlerësuar gjendjen si delikate, për shkak edhe të pritshmërive sa i përket reshjeve dhe prurjeve nga hidrocentralet.

Lulzim Basha: “Bëhet fjalë pra për një situatëtë precipituar në mënyrë thuajse të menjëhershme si rezultat i reshjeve jashtëzakonisht të mëdha të rëna dhe një situatë absolutisht të rrezikshme. Kemi të bëjmë me nivele rekord të Kirit dhe të Gjadrit, Kiri ka derdhur deri para një ore 200m3/sekondë, Gjadri 150 metër3/sekondë.”

Rikthimi i ujit ka prekur më tepër fshatin Obot dhe komunën e Anamalit, ku dhe është përqendruar puna e forcave të ushtrisë për forcimin e argjinaturave.

Lulzim Basha: “Janë ndarë këto detyra, evidentimi i menjëhershëm i zonave që rrezikohen nga rritja e vazhdueshme e prurjeve dhe evakuimi i banorëve nga këto zona. Riparimi dhe mbajtja funksionale e argjinaturës në ato pjesë ku rrezikohet, ngritja e 3 kampingjeve në Pentag dhe … Daçit në Komunën Dajç dhe në Bërdicë për strehimin e personave, por në veçanti të bagëtive të lokaliteteve më të rrezikuara siç është Daragjati.”

Komiteti Ndërministror ka kërkuar nga kryetarët e komunave të jenë në gatishmëri për çdo të papritur që mund të vijë nga precipitimi i situatës. Ne dispozicion të tyre ushtria ka vënë mjete lundruese dhe të tjera mjete të nevojshme./tvklan.al