Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka mbledhur Shtabin e Emergjencave në prefekturën e Shkodrës, menjëherë pas hapjes se portave ne dy hidrocentralet mbi Drin.
Pasi ka analizuar gjendjen, ministri Basha tha se deri me tani nuk ka sinjalizime për rrezik dhe garantoi nisjen e menjëhershme te planit te evakuimit nëse do te jete e nevojshme.
Lulzim Basha: “Nuk kemi sinjalizime për një rrezikim të menjëhershëm të një pjese tjetër të zonës. Megjithatë siç ju thashë situata është shumë dinamike. Varet nga një mori faktorësh siç është temperatura, prurjet nga sistemet hidrike brenda, por dhe jashtë territorit të Shqipërisë qofshin këto ato që ushqejnë Drinin nga Maqedonia, qofshin ato që ushqejnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi apo lumenjtë e tjerë. Shpresojmë që niveli i prurjeve të mbetet nën kontroll, situata është nën kontroll, por natyrisht të jemi të përgatitur për të marrë, për të përshkallëzuar skenarin e evakuimit në qoftë se kjo është e nevojshme.”
Ne mbledhjen e Shtabit te Emergjencave, drejtuesit lokale thane se hidrovoret po punojnë me kapacitet te plote dhe se po ndërhyhet me forca te ushtrisë ne zona problematike, për forcimin e argjinaturave./tvklan.al