Mjetet e ushtrisë te ndihmuara edhe nga pushteti vendor nga kanë nisur që prej ditës së djeshme punën për të parandaluar ndryshimin e rrjedhës së lumit Drin, vërshimi i të cilit ka gërryer më shumë se 1 metër tokë në fshatin Ashtë të Shkodrës.
Dhjetë banesa rrezikojnë shembjen, ndërsa uji ka depërtuar edhe në fushat përreth.
“Erozioni në lumin Drin përparon çdo dite me një metër drejtim të shtëpive dhe duhet thënë që sot shtëpitë janë larg kulmit të Drinit, thellësisë maksimale 5-6 metër, thellësia ky kulm është larg 5 metër, 6 metër larg shtëpive që kemi në krahun tonë, mbrapa krahut tonë”.
“Të gjitha janë rrëzuar nga, i ka marrë erozioni, por pa lënë tokat, se sot nuk po diskutojmë tokën ne sot po diskutojmë se është avit afër shtëpive ku banojmë me familje, me njerëz, me fëmijë, me tana”.
Shkarkimi i kontrolluar i ujit nga Vau i Dejës dhe hidrocentralet e tjera mbi Drin kanë shtuar shqetësimin për një situatë të ngjashme me atë të fillim të Janarit.
Ndonëse sasia e ujit të shkarkuar është disa herë më e vogël se ajo e disa javëve më parë, situata është në varësi të reshjeve.
“Kemi një shkarkim të ujit të kontrolluar. Duhet të presim orët në vazhdim që të shohim se si mund të eskalojë kjo situatë.”
Nga vërshimi i ujërave është ndalur përkohësisht kalimi për mjetet e ulëta në rrugën që të çon drejt fshatit Obot.
Nën praninë e ujit janë dhe fusha e Çasit, fusha e Goricës dhe fshati Luarzë në Velipojë. Dëmtimet e deritanishme janë në toka bujqësore.
Megjithatë shtabi i emergjencës është në gatishmëri për të përballuar ndoshta një përkeqësim të situatës, çka mund të kërkonte dhe evakuim të banorëve në disa zona./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka