Përmirësimi i kushteve klimatike si dhe puna për rindërtimin e argjinaturave e ka çuar drejt përmirësimit situatën e krijuar nga përmbytjet në Ultësirën Perëndimore.
Shtabi i Emergjencës, i ngritur në prefekturën e Shkodrës dhe Ministria e Brendshme informojnë se tokat dhe shtëpitë e përmbytura, në krahasim me një ditë më parë janë më të pakta në numër dhe uji ka ardhur duke u sprapsur.
Maxhit Cungu: “Ne kemi një sipërfaqe rreth 6300 hektar. Kemi 74 shtëpi të përmbytura dhe rreth 800 shtëpi të rrethuara nga uji. Në akset e rrugëve të Dajçit të Velipojës kalohet me mjete të larta, ndërsa rruga e Obotit dhe e fshatit Guricë të Anës së Malit, aty kalojnë mjete shumë të larta të ushtrisë, ku punohet për mbajtjen, për përforcimin e argjinaturave të Darragjatit vazhdon puna edhe sot. Në argjinaturën e Dajçit janë gjashtë mjete vetëshkarkuese të ushtrisë, dy ekskavatorë, si dhe dy fadroma”.
Paradite në lagjet Ajasem, Bahçallëk, Livadhë dhe në komunën e Bërdicës është vënë re një tërheqje e ujit, po kështu edhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, pjesë e aksit Shkodër-Tiranë, e cila dy ditë më parë u mbulua nga uji, është vënë re tërheqje e tij.
Forcat e ushtrisë janë përqendruar në komunat e zonës së Nënshkodrës për t’iu ardhur në ndihmë banorëve që kërkojnë të evakuohen, si dhe për të vijuar me shpërndarjen e ndihmave ushqimore.
Aktualisht të evakuuar janë afro tridhjetë persona. Ka nisur furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot të komunës së Ana e Malit, disa fshatrave të komunës Dajç, në Malin e Jushit, në Bushat dhe në një pjesë të komunës së Velipojës.
Gjithashtu po punohet për përforcimin e argjinaturës në vendet ku janë më të dëmtuar si në fshatin Darragjatë të komunës së Dajçit, në fshatin Cas të komunës së Velipojës si dhe po ndërhyhet në argjinaturën e fshatit Asht, ku rrezikohet gërryerja e tokës nga fryrja e lumit Drin./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka