Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes heshtjes po merr në mbrojtje shkaktarët e vdekjes së 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Nga dega 6 në kryeqytet, ku u takua me strukturat e partisë, Basha tha se interesi i vetëm i kreut të qeverisë nuk janë qytetarët por paraja dhe pushteti, të cilin e garanton përmes lidhjeve me krimin.
Kreu i PD, Lulzim Basha:
Po si ka mundësi që një njeri që i thotë vetes që po bëj shtet, shkaktarin e vdekjes së një 17-vjeçari në rrethana makabre, të shpallur në kërkim pas presioni të opozitës e nxjerr në krah me deputetët e vet në inaugurim. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë fshehje të krimit, që është krim më vete. Kjo do të thotë heshtje për krimin, që është krim më vete. Pse e bën këtë?! Sepse për të Ardit Gjoklaj ka zero vlerë. Sepse për Edi Ramën qytetarët shqiptarë kanë zero vlerë. Ndërsa krimineli, i akuzuari për krimin ka vlerë të madhe sepse është ai që çon zhagën me lekë, lekë të cilët ai i merr, dorë më dorë shkojnë tek Kryeministri. Dhe përdoren një pjesë për të blerë vota, për të blerë pushtet.
Duke iu referuar deklaratës së bërë nga prokurori i anti-mafias italiane Kataldo Mota, kreu i demokratëve tha se situata e kanabisit në vend është alarmante ndryshe nga sa pretendon qeveria.
Kreu i PD, Lulzim Basha:
Gjithçka për pushtet, për pushtet lidhet me krimin, për pushtet i hapi krimit krahun dhe e mbushi Shqipërinë me drogë. Dhe kur del Cataldo Motta e rrëzon gënjeshtrën e tij dhe thotë droga nga Shqipëria ka pësuar rritje, kemi një bum të trafikut të drogës nga Shqipëria sepse autoritetet shqiptare nuk bashkëpunojnë më me autoritetet italiane, hesht s’e s’ka çfarë të thotë sepse kjo është e vërteta e di i madh dhe i vogël, dhe sot e di Europa, e di SHBA. Ky është një kryeministër që i hapi derën kriminelëve në pushtet, i hapi derën duke i emëruar deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj. Pastaj iu hapi të gjitha shtigjet, iu dha të gjitha mundësitë që një shtet ka për të kultivuar drogën dhe tani pazaret i ka me drogën, s’ka më kontrate me qytetarët.
Basha e akuzoi kryeministrin Rama se në tre vite qeverisje nuk mbajti asnjë premtim, duke shënuar përkeqësim në shëndetësi, arsim, rend e siguri./TV KLAN