Lulzim Basha do i bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili i dha vulën PD së që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Pas rreth tre orësh mbledhje me mbështetësit e tij, Basha e cilësoi vendimin e Apelit të pa drejtë edhe pse më herët grupi i tij kishte deklaruar se do të respektonte vendimin e gjykatës.
Lulzim Basha, ish-kryetar i PD: Rekurs në drejtësi, në Gjykata e Lartë për të moslejuar që në këtë vend të triumfojë padrejtësia.
Edhe pse nuk dha një emër, Basha paralajmëroi dhe krijimin e një partie të re.
Lulzim Basha, ish-kryetar i PD: Në çdo rast ne do të jemi në zgjedhje. Shqiptarëve do u japim alternativën. Të gjitha opsionet dhe mundësitë që jep Kodi Zgjedhor janë në tavolinë. Alternativa jonë është platforma më e mirë për të bashkuar jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët që duan ndryshim.
Sulmet nuk i kurseu ndaj drejtuesit të PD zyrtare Sali Berisha.
Lulzim Basha, ish-kryetar i PD: Është e qartë që zoti Berisha nuk është zgjidhja për të larguar Edi Ramën. Në fakt është aseti i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka shqiptar demokrat, madje as vetë Sali Berisha që ta besojë se ai mund të mundë Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Dihet fare mirë që Edi Rama e ka bërë të gjithën këtë që përballë të ketë Sali Berishën, i cili në asnjë skenar nuk arrin dot të mundë dhe të largojë Edi Ramën.
Basha tha se çdo deputetë e ka derën e hapur për t’iu bashkuar, ndonëse disa prej deputetëve mbështetës të tij kanë paralajmëruar bashkimin me Berishën.
Klan News