Lulizm Basha përjashtoi mundësinë që pas zgjedhjeve të 25 qershorit Partia Demokratike të hyjë në Pazar me forcat e tjera për të bashkëqeverisur vendin. Nga Saranda ku hapi fushatën elektorale kreu i demokratëve tha se Republika e re do t’i japë fund moçalit të politikës së vjetër.
“S’do ketë më pazar me interesat e qytetarëve shqiptarë, e kam premtuar nuk do këtë pazar, Republika e re do vijojë, ajo po vjen dhe do triumfojë në 25 qershor. Ne nuk bëjmë pazar me kauzën e qytetarëve shqiptarë, me asnjë nga thithlopat e Republikës së vjetër. Rama do japë llogari për dështimin total për harxhimin e milionave dhe ekonominë katastrofike. Ky nuk është shtet i fortë, është shtet i falimentuar. Politika ka kaq vjet në moçal. Në moçal rrinë vetëm disa zhaba e thithlopa e bëjnë guak-guak.”
I ashpër edhe me LSI-në.
“
Edhe LSI ta ketë të qartë se koha e matrapazëve në politikë që shkojnë sa andej këndej, shit këlyshë e bli qen merr fund në 25 qershor, ndaj të gjithë ata votues që jeni tunduar me tesarat e partive të pazarit që ua kanë dhënë për tu mbajtur peng dijeni se votat për këtë parti janë vota të hedhura në det, kurrë më pazari bli këlyshë e shit qen nuk do ecë me PD mos harroni ne jemi të bashkuar.”
Shqiptarëve u premtoi se pas ardhjes në pushtet, Republika e re përmes ndryshimeve kushtetuese do t’u mundësojë atyre që t’i zgjedhin dhe shkarkojnë deputetët që nuk i përgjigjen interesave të tyre.
“Ata deputetë që nuk iu përgjigjen ju do të keni mundësinë jo vetëm ti zgjidhni, por edhe ti shkarkoni përpara fundit të mandatit sipas sistemit Recall të SHBA. “
Votën për Partinë Demokratike Basha ia kërkoi edhe banorëve të Ksamilit e Himarës. Ndërsa në Vlorë Basha i ripërsëriti ftesën për debat me kreun e mazhorancës Edi Rama.
“Këtu nga Vlora, Edi Rama të përsëris thirrjen për debat televiziv. Eja dalim para shqiptarëve dhe bëj bilancin tënd, unë bëj bilancin tim, ti trego programin tënd, unë tregoj programim tim. Le të na gjykoj Vlora. Le ta bëjmë debatin e parë këtu, në këtë shesh, në sheshin e Flamurit. Ka pesë ditë që ftoj në debat dhe nuk ndihet fare. Nga e fut dhe se fut kokën e muhabetin, përgjigje për debatin nuk kthen. Po më kthe një përgjigje mor burrë i dheut. Eja në debat mos ki frikë. Eja sepse debati është kulturë demokratike”.
Tv Klan