Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Bashkia e Tiranës ka deklaruar, se do të japë dokumentet e kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar anti-Rama. Nënkryetarja e bashkisë zonja Vali Bizhga thotë, se pasi komisionerët kanë dorëzuar kërkesën e firmosur nga kryetari dhe sekretari i komisionit, bashkia do të fillojë përgatitjen e dokumenteve, që sipas nënkryetares Bizhga do të kenë një çmim të caktuar.

Vali Bizhga:- “Do të bëhemi gati menjëherë, për t’ju vënë në dispozicion atyre gjithë dokumentacionin e kërkuar, por sigurisht ky është një dokumentacion voluminoz, që kërkon kohë dhe nuk bëhet me ultimatume, pavarësisht se zotërinjtë janë deputetë. Komisioni hetimor do të duhet të paguajë për çdo dokument për të cilin do të kërkojë fotokopje”.

Nënkryetarja e bashkisë thotë, se komisionit do t’i vihet në dispozicion edhe një ambient i caktuar pune, ndërsa saktëson se dokumentet do të jenë gati vetëm pas pak ditësh./tvklan.al