Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dihet tashmë, se nëse komisionerët opozitarë të komisionit hetimor Rama, do të akuzojnë për abuzime kryetarin e bashkisë së Tiranës, apo një nga drejtorët e këtij institucioni, do të vijë menjëherë edhe përgjigjja nga të akuzuarit.

Drejtoresha e përgjithshme e shërbimeve dhe burimeve njerëzore në Bashkinë e Tiranës, Keti Treska, ka dhënë një njoftim për shtyp në mesditë, për të përgënjeshtruar akuzën e kryekomisionerit Sokol Olldashi, për falsifikim dokumentesh dhe për pengesë të hetimeve, për të cilat Olldashi deklaroi, se do t’i drejtohet prokurorisë për fillim të hetimeve.

Keti Treska:- “Komisionit hetimor parlamentar, i janë krijuar kushtet më optimale të mundshme dhe i janë vënë në dispozicion për shqyrtim, deri në momentin që po flasim, 670 dosje origjinale. Gjithashtu, janë çuar në selinë e Kuvendit, 224 dosje, me një volum prej 4002 fletësh. Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka shlyer deri në këtë moment, asnjë nga faturat e këtij shërbimi, të cilin për vetë volumin e jashtëzakonshëm, një grup nëpunësish të bashkisë së Tiranës ka qenë i detyruar ta kryej, duke punuar përditë deri në orët e vona të mbrëmjes”./tvklan.al