Ndonëse një qytet pa vijë bregdetare, Elbasani ka mjaft për t’i ofruar turizmit. Së fundmi po rriten në mënyrë të ndjeshme disa lloje turizmi sic është turizmi historik dhe kulturor, turizmi tradicional i bukurive natyrore, turizmi i aventurës, turizmi shëndetësor, turizmi kulinar etj.
Natyrisht që pjesë mjaft e rëndësihme mbetet turizmi historik dhe kulturor për shkak të trashëgimisë së pasur që ka ky qytet e cila vjen nga thellësia e shekujve.
Drejtori i Arsimit, Kulturës, Trashëgimisë dhe Turizmit në Elbasan, Kliton Kapaj shprehet se bashkia Elbasan e ka në fokus turizmin dhe trashëgiminë kulturore në funksion të mikpritjes së turistëve dhe gjithë vizitorëve.
Ai nënvizon se ka pasur mjaft aktivitete që promovojnë turizmin dhe aktualisht janë shtuar edhe festat nëpër qendrat administrative të cilat promovojnë trashëgiminë autoktone.
Kliton Kapaj: Bashkia e Elbasanit organizon shumë aktivitete që promovojnë turizmin, siç janë dhe festat në qendrat administrative, janë 5 festa rresht. Promovojnë produktet e zonës, turizmin dhe gjithashtu Elbasanin.
Më tej ai shton se aktualisht janë në proces disa projekte si restaurimi i Muzeut Etnografik, Galeria e Artit, Shtëpia e Kostandin Kristoforidhit dhe më tej Muzeu i Arsimit (Normalja e Elbasanit), Shtëpia e Lef Nosit etj.
Kliton Kapaj: Këtë vit do të restaurohet Muzeu Etnografik që e kemi në sfond. Sigurisht Galeria e Artit do të pësojë një restaurim dhe të hapet për publikun, Shtëpia e Kostandin Kristoforidhit është rregulluar pjesërisht.
Specialistja e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, sektori Elbasan, Albana Drenogllava jep detaje për restaurimin e Muzeut Etnografik. Ajo shprehet se muzeu është monument i kategorisë së parë. Bashkia ka akorduar një fond restaurimi nga pikëpamja ndërtimore, ndërsa sa i përket ekspozimit dhe rikonceptimit muzeal do pasohet nga një projekt i dyrë.
Albana Drenogllava: Pjesa e rikonceptimit muzeal, e përdorimit të teknologjisë së re, e mënyrës së ekspozimit të brendshëm do t’i përkasë një projekti të ardhshëm i cili do të parashikojë edhe një fond të thjeshtë.
Drenogllava nënvizon se objektet në muze janë në gjendje të mirë por që kërkohet rritja e ekspozimit të tyre. Muzeu është i ndarë në 4 objekte ekspozimi Dhoma e Burrave, Dhoma e Grave, Dhoma e Çiftit dhe Dhoma e Pajës apo Qëndisjes.
Albana Drenogllava: Kati përdhe është konceptuar me dhoma pune dhe një historik i qytetit sapo futesh në holl, ndërsa kati i sipërm është konceptuar në formën e një shtëpie karakteristike banimi në periudhën që është ndërtuar kjo godinë.
Specialistja e Trashëgimisë informon se janë duke u përgatitur dsa projekte në territorin e qarkut.
Gjatë viteve të fundit numri i turistëve në qarkun e Elbasanit është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe bashkitë dhe njësitë vendore po hartojnë projekte për zhvillimin e turizmit si një degë e rëndësishme e ekonomisë.
Klan News