Njësia bashkiake numër gjashtë në kryeqytet prej dy ditësh ka pezulluar punimet e Bashkisë Qendrore për rehabilitimin e Lanës në zonën pranë Unazës së Re.

Sipas kryetares së kësaj njësie, Luzhiana Abazaj, Bashkia e Tiranës ka devijuar projektin për rehabilitimin e kësaj zone, duke rrezikuar prishjen e shumë banesave të cilat në projektin e vitit 2004 nuk cenoheshin.

Luzhiana Abazaj: “Ka një lloj tradhtie, do të thoja në thonjëza, sepse unë në zyrë kam vetëm projektin e vitit 2004, ku shpitë e banorëve nuk preken. Sot, shtëpitë e banorëve, me sa shohim nga punimet, preken, ndërkohë që këto janë ne proces legalizimi. Kam pezulluar punimet e firmës me idenë që të ndryshohet projekti dhe këta banorë mos preken nga shtëpia e tyre, ndaj dhe jemi këtu. Do vazhdoj të qëndroj këtu deri në momentin që ky projekt ndryshohet. As nuk kam dijeni fare. Të gjithë projektet që i bën bashkia mungon bashkëpunimi mes nesh dhe bashkisë së madhe. Jam e detyruar në momentin që më njoftojnë banorët të di dhe unë se ç’ndodh me bashkinë dhe punime të tilla që s’ka as tabelë, as nuk dihet kur fillojnë punimet, kur mbarojnë dhe ç’do ndodhë, çfarë do bëhet, si është perspektiva.”

Nisja e papritur e punimeve nga ana e bashkisë në këtë zonë ka irrituar banorët, shtëpitë e të cilëve rrezikojnë të shemben.

“Ne kur kemi ndërtuar shtëpinë, unë bashkë me të gjitha këta shokët e mi kemi vajtur pranë bashkisë dhe kemi parë projektin dhe nga rregullimi i Lanës nuk na prekte interesat tona. Dhe derisa të mbyllet procesi i legalizimit, ne nuk mund të na ndërhyjmë fortësisht në shtëpitë tona. Firma që kryen punimet s’ka vu as tabelë”.

“Ka mundësi të prishi ferrat tani, edhe shtëpitë tona mos rrezikohen. Ne jemi të vdekur. Nuk kemi ku shkojmë më”.

“Na vijnë disa kaçatorë të bashkisë dhe na futen. Pesë metra prish gardhin, se nuk të prish shtëpinë. Vihet tabela e punimeve. Zotëri, sqarohet çdo popull në këtë vend, në këtë vend, në këtë vend të kalon piketa. Ty të prishet shtëpia, ty s’të prishet dhe atij fatkeqi që mund t’i prishet shtëpia, çfarë do bëhet me këta?”

Të gjitha banesat e kësaj zone në afërsi të Unazës së Madhe janë ngritur përpara vitit 1996 dhe janë në proces legalizimi./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami