“Në krizë gjithë rajoni. 61% e të punësuarve janë informalë”
Banka Botërore ka bërë një vlerësim të dytë të parashikimit të rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili thellon më shumë recesionin për këto shtete duke variuar nga -3 deri në -5.6%.
Shqipëria pritet të jetë vendi i dytë në rajon që do të pësojë goditjen më të madhe nga në ekonomi nga pandemia COVID-19, ku prodhimi kombëtar do të ulet me minus 5% në skenarin bazë nëse masat bllokuese vazhdojnë deri në fund të Qershorit dhe me minus 6.9% në nëse masat zgjaten deri në Gusht.
“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar nëpërmjet politikës fiskale dhe monetare. Megjithë një rënie graduale të borxhit publik dhe konfirmimit të vlerësimit të S&P në B + në Shkurt, borxhi publik, i cili në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të PBB-së, është ende i lartë. Gjithashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë”.
Në analizën e paketës financiare që po jep qeveria në këto momente, Banka Botërore e rendit Shqipërinë vendin e 3-të sa i takon ndihmës së dhënë në raport me prodhimin kombëtar. Ku e para është Serbia dhe në vend të dytë Kosova. Por Banka Botërore dyshon lidhur me funksionimin e skemës së garancisë sovrane, ndërsa rekomandon të ndihmohen edhe bizneset e hapura të cilat kanë rënie të shitjeve.
“Në një fazë të parë, ristrukturimi i kredisë dhe fondi i garancisë mund të kenë një përdorim të kufizuar, pasi bizneset mund të mos kenë shëndetin financiar dhe stimujt e duhur për të shmangur shkurtimet e vendeve të punës”.
Në vlerësimin e Bankës Botërore 61% e të punësuarve në vendin tonë janë të vetëpunësuar ose punëtorë informal, një shifër e cila pritet të sjellë vështirësi të konsiderueshme.
“Tregjet e punës të cilat karakterizohen nga nivele disproporcionale të punësimit informal, të përkohshëm dhe vetëpunësimit, ka të ngjarë të përballen me shkatërrim të vendeve të punës”.
Sektori i cili pritet të ketë tkurrjen më të madhe është ai i turizimit, i cili nëse shërndahet edhe me peshën që lidh aktivitetet e tjera si tregtinë dhe ndërtimin, zë rreth 26% të prodhimit kombëtar të vendit.
Tv Klan