Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian aprovuan zyrtarisht aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në bllokun 27 anëtarësh.
Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të BE-së. Ne këtë mënyrë, kryediplomatët evropian i kërkojnë komisionit që të përgatisë procedurat e nevojshme për të vlerësuar stadin aktual të Shqipërisë.
Në deklaratën zyrtare të Këshillit të Ministrave thuhet se me këtë vendim, Këshilli beson se e ardhmja e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit është ajo evropiane.
Ministrat e jashtëm të bllokut e kanë miratuar me unanimitet dhe pa asnjë e diskutim kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, duke konfirmuar kështu suksesin e reformave të saj në rrugën e integrimi evropian.
Në këtë mënyrë, aplikimi që u dorëzua në fund të muajit prill nga kryeministri Berisha në Çeki, vendit që mbante presidencën e radhës së BE-së, ka njohur dritën jeshile.
Po kështu, me anë të këtij vendimi, BE rikonfirmon mbështetjen për qeverinë shqiptare dhe ecurinë e reformave të ndërmarra prej saj.
Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, BE vlerëson se Shqipëria po ecën në një rrugë të mbarë në përmbushjen e kushteve dhe po kryen një progres të kënaqshëm në arritjen e këtyre elementeve thelbësorë për marrjen në konsideratë të aplikimit për anëtarësim.
Pas këtij vendimi të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit, KE do t’i dërgojë Tiranës zyrtare pyetësorin me anë të të cilit vlerësohet ecuria e Shqipërisë dhe kapacitetet administrative të saj.
Pas përgatitjes së opinionit nga ana e Këshillit, komisioni nis të ekzaminojë ligjet e Shqipërisë dhe ato të Bllokut për të parë ndryshimet mes tyre.
Hapi i dytë është nisja e negociatave për nenet e ligjeve që duhen përshtatur ose ndryshuar. Këto në fakt janë pjesë e kapaciteteve administrative që duhet të jenë të mjaftueshme në ekzekutimin e ligjeve evropiane në shtetin aplikues.
Në bazë të këtyre komisioni përgatit disa progres raporte që vlerësojnë ecurinë e përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë evropian.
Pas përfundimit të negociatave firmoset traktati i anëtarësimit, që duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të Bllokut, institucionet përkatëse dhe vendit kandidat.
Ky i fundit bëhet anëtar i BE në datën e përcaktuar nga traktati. Mediat e huaja evropiane vlerësojnë se në progres raportin më të fundit të Bllokut, Komisioni Evropian theksoi se ecuria e Shqipërisë në këtë proces është inkurajuese./tvklan.al