Së shpejti “destinacion i gjelbër”, tërheq vizitorët me natyrën, historinë dhe agroturizmin
Banorët e Belshit ndjehen mjaft të vlerësuar me çmimin që bashkia e tyre mori në eventin e rëndësishëm botëror të turizmit.
Në ITB Berlin, në panairin më të madh të turizmit në botë, Bashkia Belsh është vlerësuar me çmimin e 2-të për arritjet në zhvillimin e vrullshëm të turizmit lokal si edhe për vëmendjen e treguar në ekoturizëm. Gjithashtu Belshi është bashkia e parë në Shqipëri që së shpejti do certifikohet “Destinacion i Gjelbër”.
Çmimi special i është dorëzuar kryetarit të kësaj Bashkie, Arif Tafani gjatë një Forumi Ndërkombëtar me pjesëmarrjen e 100 kryebashkiakëve nga shtete të ndryshme të botës të cilat e kanë mjaft të zhvilluar industrinë e turizmit.
Por çfarë ka ndodhur vitet e fundit në Belsh?
Prej disa vitesh bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë janë duke ndryshuar panoramën e trevës.
Natyra i ka falur Dumresë 85 liqene të cilat tashmë janë kthyer në vëmendjen e turistëve brenda dhe jashtë vendit. Liqeni kryesor i qytezës është i rrethuar nga shëtitorja në të gjithë perimetrin e tij. Ka sipërfaqe të gjelbëruara, kënde lojërash, ndriçim, varka dhe anije turistike.
Përgjegjësi i sektorit të integrimit evropian në Bashkinë Belsh, Albert Hysa, tregon për punën e bërë nga bashkia përgjatë këtyre viteve. Sipas tij vitin e kaluar Belshin e vizituan mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj. Sfidë për pushtetin mbeten potencialet në shërbime dhe ato akomoduese.
“Fokusi i Bashkisë Belsh është zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe ekoturizmi. Belshi ka pak vite që është shndërruar në destinacion kryesor i turizmit shqiptar. Padyshim projekti më i madh që e shndërroi qytetin ishte projekti i Rilindjes Urbane, investime në infrastrukturës rrugore, kompleksi agroturistik i të vetmit lloj në Shqipëri në liqenin e Marinzës, si dhe aktivitete kulturore, apo festa të përvitshme që Bashkia Belsh realizon duke filluar me festën e Afërditës, festivali folklorik “Liqenet e Dumresë”, festa “Nimfa e liqeneve” dhe aktivitete të tjera”, tha ai.
Një nga modelet se si po zhvillohet turizmi në Belsh është liqeni i Marinës. Këtu janë ngritur shtëpiza prej druri, ka mol ankorimi, vendparkime për rulota, bare etj. Këtu turistët janë në kontakt me natyrën. Aty gjejmë edhe turistë të huaj. Një skocez shprehet se Belshi dhe Shqipëria kanë një natyrë të mrekullueshme.
Në një ditë të zakonshme në Belsh gjen turistë nga e gjithë Shqipëria. Ata shprehen se janë të befasuar nga ndryshimet. Një çift nga Kosova banon prej vitesh në Norvegji. Ata kishin dëgjuar për bukuritë e Dumresë ndaj erdhën ta vizitojnë.
Veç bukurive natyrore Belshi zotëron edhe trashëgimi të pasur historike dhe kulturore. Pranë tij kalon një degë e vijës Egnatia, ndodhet Kalaja e Gradishtës ku banonte një nga fiset e famshme ilire të Parthëve dhe ku është gjetur edhe varri i princit me 70 objekte që sot ekspozohen në Austri. Gjithashtu në liqenin e Seferanit ishte vendi ku njerëzia faleshin për Perëndeshën Afërditë. Por në Belsh vizitorët do të gjejnë dhe një mikpritje në ngrohtë dhe gastronomi të pasur.
Klan News