Kryeministri Sali Berisha, e cilësoi objektiv raportin që monitoron progresin e Shqipërisë që prej Tetorit 2008 deri në Tetor të vitit 2009, një dokument që sikurse tha kryeministri do të shërbejë si një program pune i qeverisë që drejton.
Sali Berisha: “E sigurova ambasadorin Lohan, se ky raport do të jetë program pune për të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi”.
Kryeministri u ndal posaçërisht tek procesi zgjedhor. Edhe në këtë rast gjykimi në raport mbi zgjedhjet siç tha kryeministri Berisha është gjithashtu objektiv.
Sali Berisha: “Ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme, para qytetarëve shqiptarë në radhë të parë. Por edhe para partnerëve, miqve tanë dhe para KE-së”.
Ambasadori i KE-së Helmut Lohan, i ka dorëzuar progres-raportin kryeministrit Berisha. Dokument që bën një analizë të qartë lidhur me zhvillimet politike, ekonomike apo edhe përmbushjen të detyrimeve në kuadër të MSA Shqipëri-BE.
Ambasadori Lohan zgjodhi të theksojë në deklarimin për shtyp me kryeministrin atë që përbën frymën e përgjithshme të progres-raportit.
Helmut Lohan: “Përmbledhja e përgjithshme është që marrëdhëniet Shqipëri-BE, janë marrëdhënie inkurajuese”.
Krahas kryeministrit edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, mori nga ambasadori Lohan një kopje të dokumentit që monitoron progresin e Shqipërisë drejt BE-së./tvklan.al