Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Liderët e partive shqiptare të Maqedonisë Arbër Xhaferri, Abdurraman Haliti kanë biseduar sot me drejtues të PD, takime të cilat janë zhvilluar pa praninë e gazëtarëve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD në takimin me liderin demokrat Berisha, kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik Abdurraman Haliti përveçse ka theksuar domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje, ku të respektohen të gjitha palët është ndalur edhe tek çështja Rugova.

Kualifikimet që i bëhen Rugovës tha ai duke e cilësuar tradhëtar apo të shitur janë jo vetëm primitive por edhe të dëmshme. Lideri demokrat Berisha ka nënvizuar se është mazhoranca në Shqipëri ajo që po mban qëndrime përçarëse të cilat dëmtojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ndërkohë në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni Arbër Xhaferri, Berisha tha se prioritare është që institucionet e krijuar gjatë dhjetvjeçarit të fundit duhet të respektohen. Ndërsa Xhaferri nënvizoi nevojën e pashmangshme të faktorit përfaqsues si element themelor në zgjidhjen e krizës./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego