Takimin me emigrantët e Italisë, Sali Berisha e pagëzoi si udhëtim drejt fitores, ndaj shqiptarët që jetojnë përtej Adriatikut me të cilët bashkëbisedoi në Romë, i ftoi që në 11 Maj të mos ia dorëzojnë Shqipërinë krimit.

“Rreziqet tona janë ekzistenciale, çdo shqiptar duhet të dijë se një mandat i katërt për Edi Ramën, i cili në 10 vite përzuri nga Shqipëria 45 përqind të shqiptarëve vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Në një mandat tjetër, Shqipëria nuk do ekzistojë. Shqipëria do shndërrohet në tokën e kriminelëve, bandave, trafikantëve. Toka e Zotit, e bukura e dheut do shuhet nga faqja e tij. A do pranojmë ne? Kurrë një gjë të tillë”.

Votën e diasporës e sheh si mrekullinë e dytë për shqiptarët pas fitores së Donalad Trumpit, teksa këto zgjedhje i cilësoi ekzistenciale për të ardhmen e vendit.

“Shikoni ku arrin, nuk ka skrupull. Nuk njoh pasaportat biometrike italiane, gjermane, franceze, etj. Ju pasaportat biometrike italiane mund t’i përdorni në Shqipëri për çdo gjë, përveç të drejtës kushtetuese të votës, e cila nuk ka asnjë lloj pengese veç frikës së tmerrshme të Edi Ramës nga ju. Ndaj miqtë e mi, këto zgjedhje janë për ekzistencën e Shqipërisë. Këto zgjedhje janë për të ardhmen e saj”.

Në vëmendje solli edhe edhe vendimin më të fundit të Presidentit Donald Trump, duke e cilësuar desorosizimin e Shqipërisë prioritet madhor.

“Mbrëmë presidenti Donald Trump i ka ndaluar kukullës së Sorosit, Entoni Blinken të futet në çdo ndërtesë federative. STOP! I pabesë. Organizoi kurthe, letra dhe gjëra të tjera për të mashtruar kombin e tij amerikan. Detyrën që mori si Sekretar i Shtetit më të madh, përfundoi në sekretar shteti të Sorosit.

Sekretar i Xhorxh Sorosit. E përshëndesim këtë vendim”.

Emigrantëve u foli për një program ambicioz që tha se do të sjellë rimëkëmbjen e vendit.

“5 vite pa asnjë taksë në Shqipëri. I keni paguar ju taksat prej 20-30 vitesh me remitancat që keni dërguar në Shqipëri. Nuk ka taksa. Të ktheheni dhe të ndërtoni suksesin në Shqipëri siç e keni ndërtuar në Itali. Dhe unë u garantoj se 3 muajt e parë do përmbyset shpërndarja e të ardhurave dhe buxhetit. Do vendoset minimumi jetik. Nuk do ketë pension nën 200 euro për të ecur në nivelet më të larta të pensioneve në rajon. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 Euro”.

Në takimin me emigrantët e Romës, Berisha falenderoi Italinë mike dhe Vatikanin për marrëdhëniet e shkëlqyra ndër vite, duke garantuar një bashkëpunim edhe më të madh pas fitores në 11 Maj.

Tv Klan