Vota e diasporës dhe takimet me bazën nëpër Shqipëri ishin çështjet kryesore që kryedemokrati Sali Berisha parashtroi gjatë takimit me drejtuesit e qarqeve politike.
Ai kërkoi angazhimin e strukturave për të nxitur emigrantet për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po bën gjithçka për të mos ta realizuar ushtrimin e kësaj të drejtë kushtetuese nga Diaspora.
“Dua të ju njoftoj se përfaqësuesit tanë, në të gjitha proceset dhe takimet po bëjnë gjithçka për të garantuar një proces, jo përjashtues siç e do narkoqeveria, por një proces ku shqiptarët kudo që janë, me çdo dokument identiteti si shqiptar, të mund të shprehë vullnetin e tij. Ecuria në rrafshin zyrtar dhe burokratik, nuk është ajo që duhet të ishte, duhej të ishte më e shpejtë, por natyrisht Edi Rama përpiqet, një akt që nuk e ka dashur kurrë, bën gjithçka për ta sabotuar.”
Të rëndësishme i cilësoi edhe takimet në Shqipëri, që sipas tij, strukturat e PD-së duhet të shkojnë në takime derë më derë dhe të mos shpresojnë se mesazhi i tyre do të shkojë nëpërmjet televizioneve.
“Takimet duhet t‘i kemi në dimensione njerëzore. Familje, 5 vetë, 10 vetë. Mos mendoni ju, se ato kanë efekt sa vetë salla. Sepse ato përhapen njëlloj si rrathët e ujit. Kështu që të mos lodhemi, e kam fjalën me këto takime që janë të pazëvendësueshme.”
Berisha theksoi se programi i emergjencës i PD-së i shpallur edhe gjatë votimit të buxhetit të shtetit që duhet t’u prezentatohet gjatë takimeve derë më derë është 100 përqind i realizueshëm.
Pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve, Berisha theksoi se do të ketë një protestë marshim në 8 Dhjetor në ditën e Rinisë.
Klan News