Nga jugu i vendit ku ishte një javë më parë, kryeministri Berisha ka vijuar turin e tij “Shqipëria në NATO” në qytetin e Lezhës. I shoqëruar nga kryeparlamentarja Topalli, disa prej ministrave të tij, por dhe nga kryetari i bashkisë së Lezhës përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Viktor Tushaj, kreu i ekzekutivit është takuar me banorët e qytetit verior për t’i njohur me të gjitha reformat e ndërmarra në këto 3 vite nga kabineti i tij qeveritar.
Sali Berisha: “Vij t’u përshëndes përzemërsisht, t’u përshëndes për mbështetjen e jashtëzakonshme, të madhe që u dhatë ju reformave të cilat ndryshuan Shqipërinë mbi të gjitha ndryshuan faqen, ndryshuan imazhin, ndryshuan paraqitjen, ndryshuan emrin e këtij vendi.”
Duke bërë krahasimin gjithmonë me qeverisjes socialiste, kryeministri Berisha ka deklaruar zhdukjen e monopoleve ministrore ndërsa ka bërë publike arritjet me betejën e krimit të organizuar, evazionit fiskal dhe korrupsionit, i cili edhe pse vazhdon të bashkëjetojë me zyrtarët aktual siç pohoi Berisha është ulur ndjeshëm në këto 3 vitet e fundit.
Sali Berisha: “Administrata publike notonte në shpërdorim, vetëm në bileta të klasit të parë, në ahengje, në vakanca. Shpenzoheshim mbi 100 milion euro, taksat tuaja. Çfarë bëmë ne, vendosëm gërshërën. Unë që jam këtu, urdhëroni, shikoni shpenzimet e mia. Unë udhëtoj më shuam se paraardhësit e mi, por shpenzoj 50% më pak se ata.”
Më herët kryeministri ka inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e ujësjellësit të Shëngjinit si dhe ka inauguruar fillimin e punimeve të aksit rrugor Lezhë-Shëngjin, duke folur për këtë investim prej 300 milion lekësh të qeverisë shqiptare, Berisha nuk ka lënë pa ironizuar punën e kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama.
Sali Berisha: “Rruga do të lidhë të 2 qytetet dhe do të ketë trotuaret, do ketë ndriçimin, do ketë korsitë e biçikletave, kryetari i bashkisë së Tiranës do të gjejë këtu modelin se si t’u japë mundësi, se si të mos trembe më nga biçikletat që i ka zhdukur në kryeqytet, por t’i rikthejë ato dhe t’u japë mundësi dhe qytetarëve të Tiranës të përdorin këtë mjet të mrekullueshëm për shëndetin dhe mjedisin e njeriut./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka