Kryedemokrati Sali Berisha denoncoi në një deklaratë nga selia e partisë, se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është larguar nga Shqipëria, pas akuzave të ngritura ndaj tij.

“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”.

Për këtë ai akuzon drejtpërdrejt Kryeministrin Rama.

“Ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama. Kjo sepse Erion Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të paimagjinueshme, më të pallogaritshme, më të mëdha që Edi Rama ka bërë në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve së bashku me Erion Veliajn dhe organizatën e tij kriminale. Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë”.

Duke e cilësuar akt skandaloz, Berisha kërkon kthimin e kryebashkiakut në Shqipëri me urgjencë, por ka edhe një kusht për Kryeministrin.

“Kërkoj dhe njëherë rikthimin me urgjencë të Erion Veliajt ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës”.

Ndërkaq burime pranë kryebashkiakut pohojnë se Veliaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klan News