Një lajm që padyshim u pasqyrua gjerësisht në media këtë javë ishte emërimi i zëvendësministrit të ri të Ekonomisë dhe Financave. Bëhet fjalë pikërisht për ekspertin e ekonomisë, Besart Kadia, i cili ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Një personazh i njohur për prezencën e tij në emisione të ndryshme me temë ekonominë dhe kundërshtues i politikave ekonomike të qeverisë Rama. I ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në Zonë e Lirë, në Tv Klan, Kadia u pyet se përse kishte pranuar të ishte pjesë e qeverisë.
Arian Çani: Përse pranove të bëheshe zv/ministër i qeverisë Rama?
Besard Kadia: Unë jam në radhë të parë ekonomist. Për mua idetë janë të parat pastaj vijnë përkatësitë politike, apo kampet politike. Janë shumë të rëndësishme për këdo që ka profesion politikën, por jo për atë që do të kontribuojë si profesionist në xhaketën e tij. Zv/ministri i shtetit shqiptar që drejtohet nga Kryeministri Rama, pra unë nuk jam zv/ministër apo funksionar i PS, jam zv/ministër i shtetit shqiptar. Që do të thotë ne kemi përballë sfidat për t’u integruar në BE. Ka raste të ngjashme në Ballkan, në Kroaci për shembull kryenegociatori për në BE ka qenë i partisë opozitare që vendosi qeveria sepse konsensusi që duhet, apo nevoja për burime njerëzore, për shtetit shqiptar janë të gjithëkohëshme, duhen gjatë gjithë kohës. Kështu që në këtë kuptim, çfarë detyrash kam unë, që kanë të bëjnë me marrëveshje të tregtisë të lirë, apo çështje që kanë të bëjnë me integrimin në BE, nënshkrimi i marrëveshjeve të ndryshme, janë çështje që i interesojnë shtetit shqiptar. Pra pavarësisht nëse është 1 deri në 6 muaj… janë çështje që i interesojnë shtetit shqiptar.
Arian Çani: Pra ti thua janë totalisht jo politike?
Besard Kadia: Çfarë unë kam marrë përsipër të bëj, janë krejtësisht të pa veshura, të pa ngjyrosura të paktën në pozicionin që jam. Kjo nuk do të thotë që unë nuk do të mbështes dhe nuk do të marr asnjë vëmendje, nëse jemi në harmoni të plotë me qeverinë dhe me kryeministrin Rama. Pra unë nuk kam hequr dorë nga bindjet e mia për biznes, pro tregut të lirë, pro konkurrencës.
Arian Çani: Dhe i gjen të përfaqësuara tek Rama?
Besard Kadia: Unë po të jap çfarë kam për detyrë të bëj./tvklan.al