Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi Perëndimin sërish duke deklaruar se do të vazhdojë të testojë raketat balistike hipersonike Oreshnik, madje ka urdhëruar prodhimin në seri të tyre.
Duke folur në një takim me udhëheqjen e mbrojtjes dhe anëtarët e Këshillit të tij të Sigurimit ai tha se raketa e lëshuar të enjten në Ukrainë u testua me sukses, duke shtuar se asnjë komb tjetër nuk ka armë si kjo.
“Ne do të vazhdojmë këto testime, përfshirë edhe në kushte luftuese, varësisht nga situata dhe natyra e kërcënimeve të sigurisë që po krijohen për Rusinë. Asnjë sistem në botë nuk është në gjendje ta kape raketen”.
Përdorimi nga Rusia i raketës së re të fuqishme me rreze të mesme veprimi për të goditur Ukrainën, ka alarmuar Kievin, teksa presidenti Volodomir Zelenski tha se do t’i kërkonte aleatëve një sistem të ri mbrojtjeje nga këto armë të reja ruse.
“Kjo është një provë më shumë se Rusisë nuk i intereson paqja. Putin, jo vetëm po e zgjat luftën, por po pështyn në fytyrën e atyre nëpër botë që duan kthimin e paqes.”
Pas këtij zhvillimi, të Martën u thirr mbledhje urgjente e Këshillit NATO – Ukrainë në Bruksel për të diskutuar mbi mënyrat e reagimit ndaj kësaj situate të re. Për kancelarin gjerman Olaf Sholc, ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Ndërsa Pekini zyrtar bëri thirrje që palët të tërhiqen nga tensionimi i situatës dhe të gjejnë zgjidhje diplomatike.
Tv Klan