Mijëra besimtarë katolikë në mbarë vendin kanë kremtuar sot festën e Pashkës.
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë ka përkujtuar kryqëzimin dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, duke u mbledhur në sheshin Skënderbej, prej nga marshuan në drejtim të sheshit Nënë Tereza, ku dhe zhvilluan një koncert dhe lutje për kombin shqiptar.
E veçanta e këtij kremtimi ishte lutja që besimtarët bënë për kryeministrinë, parlamentin, presidentin e Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Fitor Muça: “Perëndinë ne lutemi që t’i japësh urtësi politikanëve tanë, t’i japësh urtësi Edi Ramës, t’i japë urtësi doktor Berishës, t’i japë urtësi parlamentarëve shqiptarë, presidentit Topi për të qenë me të vërtet sikurse Moisiu e udhëhoqi kombin e tij, e nxori nga Egjipti për të në tokën e premtuar, ta nxjerri kombin shqiptar nga ai Egjipti i vështirësive në tokën e premtuar për të gjithë shqiptarët.”
Në ditën e ringjalljes së Krishtit krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të opozitës dhe të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë kanë vizituar katedralen e Shën Palit ku kanë takuar përfaqësuesit e besimit katolik duke ju uruar për paqe, mirësi dhe begati.
Nga kjo katedrale kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha , kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, presidenti i republikës, Bamir Topi, përfaqësuesja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kanë uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.
Urimet e tyre kanë qenë për paqe, mirësi dhe begati mes shqiptarëve kudo që janë./tvklan.al