Jemi të bindur që çdo një prej nesh e ka pyetur një herë veten tek pret me orë të tëra në trafik në kërkim të një rrugë-zgjidhjeje. Ne, të gjithë sot qarkullojmë në rrugë të asfaltuara. Por janë sërish po ato rrugë kur vite më parë makinat numëroheshin me gishtat e duarve. Sot një pjese e mirë e rrugëve janë meremetuar, janë asfaltuar, por mbeten serish po ato rrugë.
Qyteti i Tiranës gjatë dy dekadave të fundit është zgjeruar. Jo vetëm është tre-fishuar popullsia, por ky zmadhim është reflektuar edhe në dyfishimin e sipërfaqes së banuar. Besnik Aliaj, specialist i urbanistikës e sheh urgjente hapjen e rrugëve të reja si ilaçi i vetëm për shëruar Tiranën nga kaosi i qarkullimit.
Besnik Aliaj: “Nga një kalkulim të bërë nga plani që studiuan atë që quhet Tirana e madhe me asistencën e USAID-it dhe Bankës Botërore, kërkohet që rajonit të Tiranës i duhet një shtesë prej 170 km rruge të reja primare, sekondare, terciare që të zhvillohen, të ndërtohen, të asfaltohen. Pjesa më e madhe e tyre përsëri i takon bashkisë së Tiranë dhe do të thosha dhe këtë që dhe nga vetë studimi i përgatitur nga bashkia për planin e ri rregullues që është draft për momentin. Parashikohet që zonat kryesore të Tiranës të ndara në formë minibashkish apo zonash, secila prej tyre kërkon të paktën 4-5 rrugë të reja, çarje të zonave të cilat do të lidhin akset kryesore të qytetit me këto zona dhe do të lehtësojnë dhe normalizojnë qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve.”
“Zyrtarët e Bashkisë janë përgjigjur se ka shumë punë për të bërë dhe nëse do të bënin nga një rrugë në vit, do të duheshin rreth 1,000 vjet për t’i mbaruar të gjitha”.
Rrugët në të cilat po punohet aktualisht në Tiranë, vështirë se i kalojnë 300 – 400 metra gjatësi. Por edhe këto metra me tepër që i shtohen rrjetit të vjetër rrugor, konsiderohen nga specialistet si ndërhyrje sporadike që nuk pritet t’i japin zgjidhje trafikut.
Shkelzen Aliaj, drejtor i Sigurisë Rrugore në drejtorinë e përgjithshme të Policisë se shtetit deklaron se nuk ka ende në zyrë një plan urbanistike që flet për ndërtimin apo hapjen e akseve të reja rrugore.
Shkelzen Aliaj: “Unë nuk kam në zyrën time edhe sot e kësaj dite një plan për zgjidhjen e trafikut në Tiranë që është detyrë parësore e Drejtorisë së Trafikut në bashkinë e Tiranës që çdo lloj plani perspektiv, një kopje t’i dorëzohet Drejtorisë së Policisë Rrugore.”
Besnik Aliaj: “Janë projekte të tjera të cilat, për shembull edh organe të tjera si Drejtoria e Policisë Tiranë apo drejtori të tjera mund të ndihmojnë. Psh organizimin dhe menaxhimin e trafikut në Tiranë, përdorimin e rrugëve 1 kalimshe, futjen e rrugëve dytësore siç përmnedët ju për të lehtësuar rrugët kryesore në momente dhe orare të caktuara. Pra të gjitha këto kërkojnë një strategji e cila nuk mund të jetë më e përgatitur në mënyrë primitive, por duhet të jetë një strategji e cila duhet t’i përgjigjet një metropoli të standardit evropian.”
Shkelzen Aliaj: “Nuk ke asnjë rrugë të kategorizuar në qytetin e Tiranës, të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë futen me urdhrat e entit të lartë që pronar është bashkia kuptohet.”
Besnik Aliaj: “Deri më sot do të thosha transporti publik i Tiranës lë ende shuam për të dëshiruar, natyrisht transporti i sotëm krahasuar me le të themi me 5-6 vjet më parë ka një ndryshim, por është absolutisht i papranueshëm. Kërkohet një ndërhyrje tepër radikale dhe e shpejtë do të thosha në këtë drejtim, e kombinuar dhe me investimet në infrastrukturë të cilët ende janë të pamjaftueshme.”
Aliaj përmend hapjen e unazës së re e cila duket se ka mbetur peng i ngërçit politik mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë.
Besnik Aliaj: “Pushteti qendror dhe qeverisja lokale duhet të gjejnë patjetër një konsensus dhe ky konsensus nuk mund të zvarritet më. Pavarësisht debateve në nivelin politik apo në parlament. Pavarësisht faktit që qeveria qendrore dje pushteti lokal në Tiranë udhëhiqen nga dy liderët e forcave kryesore, maxhorancës dhe të opozitës. Unë them që jemi në një situatë ku ky lloj ngërçi në nivelin politik, duhet tejkaluar sepse situata në Tiranë nëse do të vazhdojë kështu do të përkeqësohet.”
Kjo situate padyshim që ka një kosto për të gjithë ne. Bizneset janë rrënuar nga mungesa e aksesit, trafiku është rënduar së tepërmi bashkë me xhepin e atyre që kanë makina dhe presin me orë në kryqëzime…/tvklan.al