Korrekt në orarin e lajmëruar, vetëm pak minuta para orës 11, në selinë presidenciale kanë mbërritur për të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga presidenti i republikës fillimisht kreu i opozitës dhe më pas kryeministri Berisha.
Kreu i mazhorancës shoqërohej në këtë takim nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike njëherësh nënkryetar i kësaj partie, Astrit Patozi.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shoqërohej nga kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi.
Për të krijuar një lloj barazie mes palëve, presidenca theu edhe protokollin, duke e lënë kryesocialistin të hyjë nga dera Nr. 1. B
isedimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura për mbi 3 orë dhe kamerat ishin të pranishme vetëm për pak minuta në fillim e takimit.
Thelbi i bisedimeve mësohet të ketë qenë zbatimi i rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, e cila i kërkon opozitës të kthehet menjëherë në Kuvend, ndërsa mazhorancës të ngrejë një komision për hetimin e zgjedhjeve, duke respektuar ligjet në fuqi.
Menjëherë pas takimit, Kryeministri deklaroi se u ka dhënë garanci Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Partisë Socialiste, se mazhoranca është e gatshme për kompromise që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale mes partive politike, por se nuk mund të trajtojë probleme që kanë lidhje me gjykatat.
Sali Berisha: “E garantova edhe presidentin edhe zotin Rama se jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështje zgjedhore që janë bilaterale. Midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Unë i kërkova zotit Rama të listojë të gjithë problematikën dhe ta trajtojmë në mënyrë konstruktive çdo problem që është midis mazhorancës dhe opozitës, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, natyrisht unë nuk mund të trajtoj dhe nuk kërkoj të trajtohen probleme që unë kam me gjykatën sikundër nuk mund të trajtoj probleme të cilat zoti Rama i ka me gjykatën e Apelit.”
Ndërsa kryesocialisti ka preferuar që deklaratën e tij në lidhje me tryezën e presidentit ta bëjë nga selia e Partisë Socialiste, në një konferencë për shtyp.
Edi Rama ka theksuar edhe njëherë se nuk do të lëvizë nga qëndrimi i tij për hapjen e kutive. Sipas tij, hapja e kutive është në interesin e të gjitha palëve.
Edi Rama: “Me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur, të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara. Kjo do të thotë se ashtu sikundër ju bë e qartë edhe bashkëbiseduesit, linja e kutive të 28 qershorit jashtë … parlamentar do të ishte shkelje e patolerueshme e parimit që na udhëheq në përpjekjen tonë. E sqarova zotin Berisha se nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje. ”
Iniciatori i bisedimeve, kreu i republikës, ka vlerësuar qëndrimin e palëve duke theksuar rëndësinë që ka fillimi i dialogut të munguar prej kohësh mes palëve, ndërsa theksoi se ka marrë përsipër të vijojë përpjekjen për të gjetur një zgjidhje të çështjes.
Bamir Topi: “Ne sot ramë dakord që presidenti të vazhdojë të eksplorojë, të kërkojë konvergjencën, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë dhe sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht me faktorë politik, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur të vazhdojë dhe të japi garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale.”/tvklan.alGazetare: Elja Zotka