Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Referencat ndryshojnë sipas stinëve dhe sipas drejtorëve, nuk zbatohet ligji dhe kodi doganor. Këto janë shqetësimet e komunitetit të biznesit, drejtuar drejtorisë së doganave. Në takimin e parë mes këtij komuniteti dhe drejtorit Papadhima, biznesmenët nuk kanë qenë të rezervuar në kërkesat e tyre. Ata kanë kërkuar një ambient tjetër në marrëdhëniet e biznesit me administratën doganore, marrëdhënie partneriteti dhe jo mes të mëdhenjve.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë Luan Bregasi ka pyetur se çarë bëhet me të ashtuquajturën referencë. Caktimi i saj sipas tij nuk bëhet sipas kodit doganor, por bëhet nga persona të veçantë, pa debate, pa referenca reale, por nisur nga motivi për të rritur artificialisht të ardhurat. Ka raste që referencat vendosen brenda ditës, referenca të ndryshme në dogana të ndryshme për mallra të njëjtë.
Ndërsa i ka dëgjuar kërkesat drejtori i doganave Papadhima është shprehur me tone vlerësuese për biznesin shqiptar, por objektivi i administratës doganore, për këtë vit sipas tij është ligjshmëri, profesionalizëm, e transparencë.
Ferdinand Papadhima:- “Ajo çka është më e rëndësishme, dogana aktualisht po synon në reduktimin e aplikimit të referencave, duke përdorur gjithnjë e më shumë metoda të tjera alternative, si atë të transaksionit, të mallrave identikë ose të ngjashëm me të tjerë, me qëllim që të shpejtohet lëvizja e mallrave, si dhe të reduktohet koha e qëndrimit të mjeteve në dogana, administrata jonë aktualisht po aplikon procedurën e zhdoganimit, në subjekte, në doganat e destinacionit”.
Në fund të dyja palët, dogana dhe bashkimi i dhomave të tregtisë, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, ku ndër të tjera, për përcaktimin e çmimit të referencës dogana duhet të marrë mendimin e tregtarëve më serioz, për t’i prerë rrugën subjektivizmit./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti