Vrasja me thikë e nxënësit 14-vjeçar mesditën e së hënës në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik.

Ngjarja e rëndë ngriti alarmin e situatës shqetësuese me adoleshentët, që herë pas here përfshihen në sherre që përfundojnë edhe në fatalitet.

Emisioni Opinion në Tv Klan ka trajtuar ngjarjen e rëndë, ku foli edhe një zonjë e cila i dha ndihmën e parë në vendngjarje 14-vjeçarit që dergjej i shtrirë përtokë pak metra larg shkollës “Fan Noli”.

Gazetari dhe drejtuesi i “Opinion”, Blendi Fevziu u shfaq i përlotur dhe i prekur nga ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së një fëmije 14 vjeç.

Blendi Fevziu bëri edhe apel për qytetarët që të japin sa më shpejt ndihmën e parë kur shikojnë qytetarë në nevojë.

Ndihma e menjëhershme është e domosdoshme, mund të shpëtosh një jetë për pak sekonda angazhim. Këto raste edhe sekonda është shumë në qoftë se nuk ndërhyet”, tha Fevziu.

14-vjeçari humbi jetën si pasojë e një goditje me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i së njëjtës shkollë.

Dy adoleshentët ishin konfliktuar edhe në rrjetet sociale dhe të hënën e kishin lënë për t’u sqaruar. Por ngjarja mori përmasa tragjike. Gjatë sherrit, 14-vjeçari u godit me thikë. Në përleshje, i plagosur me thikë mbeti edhe një shok i viktimës. Edhe vetë autori i dyshuar mbeti i lënduar nga thika, por ndodhet në gjendje më stabël.

/tvklan.al