Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Moti i ftohtë dhe me borë ka keqësuar gjendjen e rrugëve në vend. Është bllokuar kështu rruga nacionale Tepelenë-Gjirokastër. Si pasojë e rrëshqitjeve masive të tokës është nxjerrë jashtë funksionimit ky segment rrugor. Rruga është dëmtuar me një gjatësi prej 100 metrash, duke krijuar një humnerë të vërtetë.

Kjo është rruga e vetme, e cila lidh jugun e vendit me Greqinë, segment në të cilin llogaritet një dendësi lëvizjesh prej dy mijë mjetesh në ditë. Pak kohë më parë kjo rrugë kërkonte një ndërhyrje emergjente për të mos pasur bllokimin e saj, por tashmë gjithçka është e pamundur. Dëmtimi masiv i saj tashmë është i pariparueshëm, ndaj për këtë arsye ndërmarrja e rrugëve ka filluar hapjen një rruge të re, duke shmangur rrugën ekzistuese.

Mjete të shumta kanë nisur punën për hapjen e 100 metrave të tjera rrugë me një gjerësi prej 5 metrash dhe duke ndërtuar prita për të shmangur rrëshqitje të tjera. Në këtë sipërfaqe tashmë do të hidhen dy mijë metra kub dhera. Aktualisht gjendja paraqitet e vështirë për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti