Shkolla 9-vjeçare e komunës së Golemit ka pak vite që është rikonstrukturar, por një pjesë e godinës ka dalë tërësisht jashtë funksionit.

Rrëshqitja e tokës ka sjellë çarjen e mureve, shumë klasa nuk funksionojnë, ndërsa mësimi kryhet me turne.

Përveç mungesës së ambienteve shqetësimi kryesor për drejtuesit e shkollës mbetet rreziku për jetën e nxënësve.

Sulejman Hidri: “Ka dy vjet që është problemi shqetësues pasi ka një çarje dhe ulje të themelit të shkollës në krahun e djathtë. Tetë klasa kanë dalë jashtë përdorimit. Ne punojmë me dy turne. Një pjesë të nxënësve i kemi dërguar tek shkolla e mesme. Pesë klasa punojnë mbasdite. Megjithëse i kemi nxjerrë këto klasa jashtë përdorimit dhe e kemi bllokuar prapëseprapë fëmijët lëvizin, po janë edhe banjat në atë krah. Larg qoftë një shembje do të rrezikojë jetën e fëmijëve”.

Sipas autoriteteve të komunës zgjidhja për 700 nxënësit e kësaj shkolle është ndërtimi i një shkolle të re, projekt i cili mbetet vetëm në letër pasi për të mungojnë fondet.

Astrit Berati: “Është biseduar me Ministrinë e Arsimit për ndërtimin e një shkolle të re në një pozicion më optimal pasi aty ku është shkolla e vjetër problemet gjeologjike që ka nën të e bëjnë të pamundur sigurinë edhe në riparimin e saj”.

Projekti parashikon ndërtimin e një godine dykatëshe, palestrës dhe terreneve të tjera sportive, por deri atëherë nxënësit dhe mësuesit do t’u duhet të jetojnë me frikën e ndonjë shembje të mundshme./tvklan.al