Hyri në fuqi karantina 14 ditore për të gjithë ata që hyjnë në Britaninë e Madhe
Britanikët u përballën me radhë të gjata në pikat kufitare hyrëse të vendit të tyre në Francë, gjatë kësaj fundjave. Dhjetëra automjete qëndruan në radhë në pritje për t’u futur në traget në portin e Kalesë për shkak të dyndjes në pikat kufitare me Britaninë e Madhe, në përpjekje për t’i shpëtuar nisjes së afatit 14 ditor të karantinës për këdo që hyn në territorin e vendit.
Ky afat hyri në fuqi më 14 Gusht. Shumica e tyre ishin shtetas britanikë që kishin kaluar pushimet në Francë. Ata u detyruan të ndërpresin para kohe pushimet, duke shpenzuar më shumë para për biletat e udhëtimit.
Autoritetet franceze të portit të Kalesë thanë se me një dyndje të tillë kishin kohë që nuk ishin përballur, ndërsa e quajnë vendimin e autoriteteve britanike për karantinën si “të nxituar”.
“Ky vendim nuk duhej të ishte marrë kaq shpejt. Nuk jam kundër vendimit, por për kohën tepër të shkurtër që ju la Britanikëve për t’u kthyer në shtëpi nga vendet e Europës”.
Britania e Madhe riktheu karantinën për personat që hyjnë nga vendet e tjera, pas rritjes së ndjeshme të rasteve të infektimeve ditore. Autoritetet franceze paralajmëruan për masa reciproke. Edhe Austria ka paralajmëruar rikthimin e karantinës për të gjithë personat që hyjnë nga jashtë.
Tv Klan